Gjykata Kombëtare e Spanjës ka vendosur për të ekstraduar të shumëkërkuarin nga autoritetet shqiptare, Lulzim Berishën. Vendimi është marrë ditët e fundit, pas gjyqit të parë që u zhvillua me 2 korrik.
Pavarësisht se 52-vjeçari, i mbrojtur nga dy avokatë spanjollë, i kërkoi rreth një muaj më parë gjykatës që të mos dorëzohet në Shqipëri duke pretenduar se në vendin tonë i rrezikohet jeta, dhe ka frikë nga një hakmarrje për shkak të së shkuarës së tij, Gjykata Kombëtare e Spanjës ka pranuar kërkesën e prokurorisë spanjolle për ekstradim.
Në gjyq, Prokuroria spanjolle ka përmendur të shkuarën e Lulzim Berishës, rrezikshmërinë që ai paraqet, dhe akuzat e ngritura nga Prokuroria e Posaçme. Prokuroria ka theksuar se atij i rrezikohet jeta vetëm jashtë burgut, dhe duke ua dorëzuar Lulzim Berishën autoriteteve shqiptare, ai nuk do të rrezikohet në asnjë moment.
Megjithatë Lul Berisha, ish kreu i bandës së Durrësit, ka të drejtën për të apeluar, vendimin e Gjykatës Kombëtare në Gjykatën e Lartë të Spanjës.