Kursi i këmbimit të euros me lekun ka shënuar një rritje të ndjeshme ditën e premte.
Sipas kursit zyrtar të këmbimit të Bankës së Shqipërisë, euro u këmbye me 100.19 lekë, duke arritur nivelin më të lartë që prej datës 5 gusht.
Pas një rënieje graduale që pati nisur prej asaj date, euro zbriti deri në minimumin historik prej 99.6 lekësh më datë 20 gusht.
Në tre ditët e fundit, kursi iu kthye rritjes, ndërsa sot e kaloi përsëri kufirin e 100 lekëve duke arritur afër niveleve ku ka qëndruar me një lloj qëndrueshmërie gjatë gjithë sezonit veror. Megjithatë, kjo qëndrueshmëri ka qenë rezultat i pranisë së vazhdueshme në treg të Bankës së Shqipërisë.
Prej muajit maj, banka qendrore ndërhyri me blerje direkte në tregun valutor për të mos lejuar një rënie të mëtejshme të kursit. Sipas Bankës së Shqipërisë, një forcim i mëtejshëm i lekut do të ishte në dëm të objektivit të inflacionit.
Në gjysmën e parë të këtij viti, inflacioni ka rënë poshtë objektivit prej 3% të bankës qednrore. Sipas INSTAT, në muajin korrik inflacioni vjetor ishte në nivelin 2.1%.
Megjithatë, në javët e fundit Banka e Shqipërisë duket se është tërhequr nga kontrolli i kursit dhe nuk ndërhyri as pasi euro ra për herë të parë poshtë kufirit simbolik të 100 lekëve.