Zbulohen detaje të reja nga mënyra se si është organizuar vrasja e Klodian Saliut në shkurt 2005.

Në dëshminë e tij para SPAK, të siguruar nga Ora News, i penduari i drejtësisë Luftar Preçi rrëfen se ish kreu i Bandës së Durrësit Lulzim Berisha e shihte Saliun si kundërshtar të tijin.

Sipas Berishës, një polic i kishte thënë Plaurent Dervishajt që Saliu bashkë me dy persona të tjerë e kanë pritur atë bashkë me Lulzim Berishën për t’i ekzekutuar.

Kështu ai i propozon Reçit eleminimin e Saliut, ndërsa ai do të vriste hasmin e tij.

Pjesë nga dëshmia e të penduarit:

“Në fillim të muajit Shkurt të vitit 2005 kam takuar në Tiranë Lulzim Berishën. Takimi u realizua në vendin e quajtur pranë stacionit të Trenit Tiranë, vend ku kisha një kazino timen. Kazinoja ndodhej në bodrumin e një pallati të ndërtuar nga një ndërtues kosovar me emrin E.A.

Ky pallat është pranë stacionit të Trenit. Ishte ora 01:00 dhe erdhi Luli së bashku me Lentin dhe Indritin. Gjatë takimit Luli më ofroi një marrëveshje sipas të cilës unë duhej të vrisja shtetasin Klodian Salihu dhe ai në këmbim do të vriste hasmin tim.

Ata më thanë se Klodian Saliun e kishin kundërshtar dhe kishin frikë se mos i vriste. Gjithashtu ata donin ta vrisnin edhe në lidhje me kontrabandën dhe trafiqet që bëheshin në portin e Durrësit pasi e shihnin si rivalë.

Sipas Lentit një polic i portit i kishte Lentit (Plaurent Dervishajt) që një natë Klodi me gjithë dy persona të tjerë ju kanë pritur te shtëpia e Lulit për t’iu vrarë.

Sipas Lentit polici ishte i pirë tapë në momentin që i kishte thënë këtë muhabet.

Pasi ramë dakord të shkëmbenim hasmin, unë pothuajse gjithë muajin Shkurt të vitit 2005 nga mesi i ditës deri vonë në darkë shkoja në Durrës që ta shihja si fytyrë shtetasin Klodian Salihu dhe të mësoja edhe lëvizjet e tij. Kur shkoja në Durrës fillimisht takoja Lulin, Lentin dhe Indritin dhe më pas me qëllim që të studioja lëvizjet e tij dhe vendet ku rrinte Klodi ata më jepnin një djalë të ri, i moshës rreth 19 vjeç, i cili njihte Klodin si fytyrë.

Nëpër Durrës lëviznim me një makinë tip Benz 250 tip i vjetër ngjyrë hiri me targa Durrësi që në dijeninë time ishte në pronësi të Indrit Taullaj. Bashkë me këtë djalin lëviznim në të gjithë vendet ku mendohej se ishte Klodi.

Mbaj mend për shembull se shkonim diku te Vollga pasi dyshonim se aty ishte kishte një lokal Klodi.

Në këtë vend nuk e kemi parë asnjëherë. E kërkonim diku pas bashkisë në një lokal në kat të dytë, ku na tha një natë Indrit në telefon se më duket se ishte atje. U futën në lokal në kat të dytë në një tavolinë dhe ai djali na tha se nuk ishte aty. Kemi kontrolluar në çdo lagje të Durrësit.

Unë Lenti dhe Indrit filluam të bëjmë prova për vrasjen e Klodian Saliut. Vendosëm që vrasja të realizohej kur Klodi shkonte të takonte…. në Tiranë.

Një javë rresht kemi pritur që të kalojë. Vendoseshim në një karburant rreth 1.5 km në hyrje të autostradës. Luli sapo mori vesh që … do të na jepte informacion për lëvizjet e Klodit u siguruar që të bëhet vrasja dhe iku në Turqi me qëllim që të mos dyshohej.

Një natë para se të vritej Klodi kam fjetur në Durrës. Ditën e vrasjes në mëngjes jam takuar tek piceria e Lulit me Lentin dhe Indritin. Ndërsa Luli ishte në Turqi”, ka deklaruar ai.

Reçi ka treguar hap pas hapi çfarë ka ndodhur ditën e ekzekutimit të Klodian Saliut.

Pjesë nga dosja e Prokurorisë:

HISTORIKU I PËRPLASJEVE BRENDA BANDËS SË DURRËSIT

Nga tetori i vitit 1998 deri në vitin 2003, banda e Durrësit ishte e bashkuar dhe dy drejtuesit kryesorë të saj, Lulzim Berisha dhe Klodian Saliu, i kishin të forcuara lidhjet mes tyre.

Krisja e parë mes Klodjan Saliut dhe Lulzim Berisha ka si nisje atentatin ndaj Marsel Sotirës. Punonjësi i Doganave ishte një pengesë që duhet të kalohej medoemos nga Banda e Durrësit. Ai i kishte shpëtuar një atentati dhe më pas kishte marrë hak duke vrarë dy anëtarë të bandës.

Që nga ajo ditë ai lëvizte me makina të blinduara dhe ruhej. Në këto kushte banda vë në zbatim një goditje perfekte duke përdorur si karrem një vajzë të re simpatike, e cila duhet të nxirrte viktimën në pritë. Vajza e njohur si “Miss Skrapari”, nën kërcënimin e Klodian Saliut, nxjerr në pritë Sotirën, i cili vritet me 271 plumba.

Bukuroshja nga Skrapari, me inicialet V.J, u përdor nga Saliu, i cili fillimisht e bëri të dashur dhe më pas e detyroi t’i vardisej dhe të bënte për vete Marsel Sotirën. Vajza e detyruar nga presioni i Saliut, bëri siç i thanë… dhe Sotira u vra, por njëherazi ata zbuluan se Lul Berisha iu kishte zbuluar krahët.

Kur u kthyen pasi kishin qëlluar Marselin, Indrit Taullai dhe Klodjan Saliu kishin kërkuar për Lulin, por ai kishte ikur. Adriatik Coli rrëfen: “Ata thanë: Si na e bëri Luli këtë gjë. Kështu që kur kthehem nga Italia, Klodi kthehet në Qershor të vitit 2000, më thërret te shtëpia. U futëm te kuzhina dhe më pyet për ngjarjen e Marsel Sotirit si ndodhi që iket dhe unë i shpjegova. Klodi bindet që ja kishin me të futur Lul Berisha dhe Plaurenti…”.

Kështu, në vitin 2003, banda u nda në dy celula të ndara nga njëra-tjetra të cilat filluan të funksionojnë të ndara, për hesap të Lul Berishës dhe Klodian Saliut. 15 kilogramë heroinë janë shkaku i prishjes mes tyre. Saliu dhe Lul Berisha porositën 15 kilogramë, për të cilën kishin bashkuar paratë për ta blerë tek dy turq. Nga porosia që erdhi, u pa se vetëm 3.5 kilogram heroinë ishte e pastër, ndërsa pjesa tjetër ishte zhavorr. Atë që erdhi e mori Klodi, ndërsa lekët e Lul Berishës shkuan kot, duke sjellë edhe prishjen mes tyre.

Përplasjet në dukje të vogla kulmuan kur pas lirimit nga burgu të Klodian Saliut, ai kishte krijuar grupin e tij të ndarë nga Lul Berisha.

Indrit Taullai, Julian Meçe, dhe Plaurent Dervishaj, ishin pjesë e grupit të Lul Berishës ndërsa Adriatik Coli dhe Indrit Dokle, pjesë e grupit të Klodian Saliut. Vrasja e Klodian Saliut, solli hakmarrjen dhe serinë e atentateve që kishin si shënjestër ekzekutimin e Lulzim Berishës.

Fuqizimi i Indrit Dokles dhe përballja me Lul Berishën,

Adriatik Coli rrëfen se pas vrasjes, ai bashkë me Indrit Doklen u zotuan për hakmarrje. Ai tregon se kontraktuan dy burrels për të bërë vrasjen.

“Pas vrasjes së Klodit, unë me Indritin u angazhuam për të marrë hak. Luli, 4 – 5 ditë para vrasjes së Klodit kishte shkuar në Turqi dhe erdhi të nesërmen e varrimit të Klodit. Indriti, nëpërmjet shoqërisë së vet thirri për të kryer vrasjen e Lul Berishën, dy persona nga Burreli njëri me emrin Ervin dhe tjetri Alban. Këto të dy kanë ardhur 2 – 3 ditë para të 40-tave të Klod Saliut dhe i solli Indriti tek shtëpia që i zumë me qira. Kur erdhëm tek shtëpia me qira shkuam unë me Indritin dhe këta të dy. Indriti u tregoi të gjitha fotografitë e Lulit që kishim dalë në kohën kur ishim bashkë. Atë natë bëmë plane se si do të qëllojmë Lulin. Armët i morëm te shtëpia e Klodit dhe u dhamë dy automatikë Skorpions me numra të fshirë, një pistoletë dhe një pistoletë të vogël, të gjitha me silenciator. Ne bëmë plane që të vrisnim Lulin, tek lokali i tij “Ç’era una Volta”.

Jetëgjati nuk bëhet dot jetëshkurtër dhe ky është rasti…

Indrit Dokle tentoi disa herë të vriste përmes pagesës por edhe vetë Lul Berishën, por nuk ia doli. Ditën e të 40-ave të Klodian Saliut, dy vrasësit me pagesë nga Burreli u nisën për të vrarë Lul Berishën, por ata u pikasën nga një polic i Rrugores. Ata po ruanin Berishën, i cili kishte hyrë brenda në bashkinë e Durrësit, teksa një polic pa armët dhe kërkoi përforcime. Në këtë moment, ata janë larguar me vrap duke njoftuar Doklen se atentati i parë dështoi.

‘Komandantët vdesin shpejt…sa mu dhimbs mua ai ti nuk e di’, atentati ndaj Indrit Taullaut

Duke parë se nuk mund ta kapnin dot drejtpërdrejt Lul Berishën, grupi i Klodian Saliut i kryesuar tashmë nga Dokle nis intrigat për të kapur Lul Berishën. Ata takuan Indrit Taullaun në një bar tek “21 dhjetori”, dhe sipas dëshmisë së Adriatik Colit, Dokle i tha adashit: “Po ta dimë se jemi hasmë, na thuaj që jemi hasmë, në qoftë se nuk kemi gjë, në rregull. Ne s’jemi komandantë se komandantët vdesin shpejt. Indrit Taullai i tha që nuk kemi gjë dhe as mos e vrit trurin”.

Por sërish Dokle nuk hoqi dorë, të nesërmen sërish dy burrelsit shkuan për të vrarë Lul Berishën në Durrës, dhe por ata vrasin Isuf Morinën. Lul Berisha u plagos dhe pistoleta ngeci, dhe dy burrelsit ia mbathën… Plagosja e Lul Berishës solli prishjen me Taullain, i cili mori Indritin për t’a pyetur se çfarë ndodhi Indrit Doklen, por ky i fundit, nuk e mori përsipër autorësinë e atentatit. Indrit Dokle u fut në shtëpinë e Lul Berishës, dhe ky i fundit i dha besën se në shtëpinë e tij, nuk do e prekte kurrë me dorë.

Adriatik Coli vijon rrëfimin: “U futëm në shtëpinë e Lulit, pasi shoferi foli në telefon se erdhëm dhe aty gjetëm Lulin, Plarentin, Indrit Taullajn dhe ndërmjetësin. U hap biseda për gjuajtjen e Lulit dhe ne i thamë se nuk kishim gjuajtur. Luli na tha se juve keni fut njerëz për të më gjuajtur mua. Ne i thamë jo dhe thamë se të shikonte se mos ia ka bërë Çimi, vëllai i Klodit. Luli tha se: “nga Çimi unë rroj 100 vjet, këtë Indrit ma ke bërë ti”. Ne i thamë Lulit që nuk kemi bërë gjë. “Po të kemi bërë gjë, ja ku na ke, na vrit. Ai na tha se përderisa ju kam iu ftuar në shtëpi, as qimja e flokut nuk na lëviz. Unë e pyeta se si e kishte dorën dhe ai më tha, mirë e kam. Pasi bëmë shaka pak me njëri-tjetrin, dolëm nga shtëpia e Lulit.”