Kur ka kaluar më shumë se 1 javë nga ngjarja ku mbeti e përfshirë, Antonela Berisha rikthehet në rrjetet sociale.
Edhe pse është në kërkim nga policia, pas dhunës fizike që ushtroi bashkë me të motrën, ishbanorja e “Big Brother” duket e pashqetësuar nga ngjarja. Dhuna brutale ndaj Klea Prengës është kthyer në temë diskutimi në media dhe rrjete sociale. E reja u masakrua me gotë xhami në fytyrë teksa ndodhej në një restorant.
Pamjet e rënda po qarkullojnë kudo, ndërsa e dhunuara tashmë kërkon drejtësi për arrestimin sa më parë të dy autoreve, Antonela dhe Mariela Berisha. Ish-banorja e “Big Brother VIP” dhe motra e saj, siç pretendon e reja, e kanë sulmuar dhe kërcënuar me mesazhe se ky është mësimi që merr ky futesh në mes të familjes. Teksa rasti po qarkullon e po komentohet kudo, Antonela Berisha, e cila është në arrati ka bërë reagimin e saj të parë në “heshtje”. Edhe pse është në kërkim nga policia, Antonela qëndron e lirë dhe e pa shqetësuar, teksa ka postuar disa foto në llogarinë e saj të biznesit në “Instagram”.
Ish-konkurrentja e “Për’Puthen” ka bllokuar opsionin e komenteve në të gjitha fotot e saj. Përfshirja e saj në këtë incident të rëndë mesa duket ka shkaktuar shumë reagime në faqen e saj zyrtare. Sakaq, dosja e dhunimit të Klea Prengës tashmë është në duart e Prokurorisë së Tiranës, teksa policia ka deklaruar më herët se po punonte për lokalizimin e motrave Berisha. Ditën e djeshme, kreu i Policisë së Shtetit, tha se shumë shpejt do të ketë një njoftim në lidhje me arrestimin e Antonela dhe Mariela Berisha, të shpallura në kërkim për dhunën e ushtuar ndaj Klea Prengës.
“Policia është angazhuar për kapjen e personave. Shumë shpejt do të keni njoftimin për kapjen e tyre”, – tha Rrumbullaku. Vajza e identifikuar si Klea Prenga ka denoncuar me pamje dhe me emra, sesi është dhunuar teksa ishte duke ngrënë darkë. Ajo thotë se dikush e ka goditur nga pas dhe i theu një gotë në fytyrë, ndërsa fajtor për këtë sulm bën Mariela dhe Antonela Berisha. Kjo e fundit është e njohur për publikun. E reja thotë se dëmtimet janë të rënda, ndërsa ka publikuar edhe një mesazh, ku i thuhet se “dhurata” nuk ishte nga Antonela, por Mariela, pasi pretendohet se vajza e dhunuar ka hyrë mes një çifti.
“Panorama” mëson se prej disa muajsh motra e Antonelës është ndarë nga partneri me të cilin ka edhe një djalë. Mariela duket se nuk e ka pranuar këtë ndarje dhe prej disa kohësh vijon të kontaktojë me vajza, për të cilat dyshon se partneri e ka tradhtuar. E njëjta gjë ka ndodhur edhe me Klean, e cila është dhunuar pikërisht se dy motrat dyshonin se ishte shkaku i ndarjes së Marielës nga partneri i saj. Djaloshi në fjalë është një emër i njohur në qarqet e biznesit në Tiranës, si dhe të shumta i ka pasur historitë e dashurisë edhe me vajzat e famshme.
Por prej më shumë sesa një viti dukej sikur kishte krijuar familje dhe ishte larguar nga fama e djaloshit që merrej me vajza të njohura. Të paktën deri para pak muajsh, ku dhe raporti i tij me motrën e ish-banores së “Big Brother” ka përfunduar. Kjo e fundit, të shumta i ka pasur skenat edhe në ambiente të tjera, duke mos pranuar kështu ndarjen nga partneri. Sakaq, në reagimet e saj, Klea ka qenë shumë e ashpër me të dyja motra.
“Të martën, rreth orës 21:30, teksa isha duke ngrënë qetësisht në një restorant në Tiranë, u përballa me një sulm të papritur dhe të dhunshëm. Dikush më goditi nga pas dhe më theu një gotë në fytyrë ndërsa po haja. Dëmtimet janë të rënda dhe kam shpëtuar për një qime. Tronditja e asaj nate është e paimagjinueshme. Sulmi u krye nga Mariela Berisha dhe Antonela Berisha. As ato dhe askush tjetër nuk mund ta shkatërrojë fytyrën dhe imazhin tim.
Më vjen keq për to, sepse e tyrja është e shkatërruar me kohë. Nga anët tona as hasmi nuk goditet duke ngrënë. Po të ishe aq gangstere sa të duket vetja, do më kishe ardhur përballë. Sa për mesazhin kërcënues që ke dërguar, pasi ke kryer sulmin. Mua nuk ma prishin dot imazhin fundërrina si ju qe ju njeh e gjithë Shqipëria. Ti nuk ke familje vajzë e dashur që të të hyhet në mes. Ti del e tregon përralla nëpër media për jetën tënde. Femra xheloze si puna juaj meritojnë të izolohen në një spital mendor, sepse as sulmet e taja të dhunshme nuk do të mundin të më shkatërrojnë mua apo jetën time. Femra si puna juaj janë mësuar me jetën e rrugës dhe aq kapacitet keni sa të arrini në veprime të tilla jonjerëzore.
Por mua nuk maprishni dot identitetin dhe vlerat e mia, sepse vij nga një familje me vlera dhe integritet dhe asgjë nuk mund ta ndryshojë këtë. Do jua çjerr maskën shumë shpejt. Regjistrimet e kamerave janë në dorën e shtetit dhe do të publikohen së shpejti. Jam mirënjohëse që jam ende këtu dhe se nuk përfundoi më keq. Policia po heton ngjarjen dhe shpresoj që drejtësia të vihet në vend. Ky sulm nuk do të më ndalojë; përkundrazi, do të më bëjë më të fortë dhe më të vendosur”, – shkruan e reja në rrjetin “Instagram”.