Qytetarët shqiptarë dhe bizneset kanë kryer më shumë transferta në euro. Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, korriku ka regjistruar nivelin më të lartë të transaksioneve që prej nisjes së këtij viti.

Lidhur me këtë ka ndikuar dhe numri i lartë i turistëve, deklaroi në “Tirana Live”, eksperti i turizmit Feriol Ozuni.

Ai tha se 90% e të huajve që vijnë në Shqipëri, vijnë me buxhetet e tyre në monedhën euro, automatikisht po atë monedhë do të shpenzojnë. Sakaq, sipas ekspertit, edhe vetë shqiptarët bëjnë pjesën e transaksioneve më të mëdha në euro, normalisht dhe shit-blerjet.

“Duke marrë parasysh që 90% e të huajve që vijnë në Shqipëri, vijnë me buxhetet e tyre në monedhën euro, automatikisht po atë monedhë do të shpenzojnë. Të paktën transaksioni i parë që ata do të bëjnë në republikën e Shqipërisë është në monedhën euro, që do të bëjnë këmbimin e monedhave me të cilat kanë hyrë. Duke qenë se ne jemi një vend që i pranojmë monedhat e huaja, euron dhe dollarin, por kryesisht euron në çdo instancë të ekonomisë sonë, duke përfshirë këtu që nga marketet më të vogla deri te njësitë akomoduese, që përbëjnë vlerën më të mëdha të shpenzimeve të një turisti, normalisht që ky numër transaksionesh në euro është deri diku domethënës, por nuk besoj që ka atë ndikimin masiv, sepse duhet të marrim parasysh, që dhe ne vetë bëjmë pjesën e transaksioneve më të mëdha në euro, normalisht dhe shit-blerjet”, u shpreh Ozuni.