Ministria e Mbrojtjes ka njoftuar sot se pas një përpjekjeje intensive prej pesë ditësh, misioni i shuarjes së zjarreve në Shqipëri ka përfunduar me sukses. Sipas njoftimit, dy avionët ushtarakë rumunë, të tipit C-27J Spartan dhe C-130 Hercules, të cilët u angazhuan në këtë mision në kuadër të Mekanizmit Evropian të Mbrojtjes Civile, kanë dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm në luftën kundër flakëve që kishin përfshirë disa nga zonat më të rrezikuara të vendit.
“Gjatë këtyre ditëve, avionët rumunë kanë kryer dhjetëra fluturime mbi disa nga vatrat më të nxehta të zjarrit, duke ndihmuar në izolimin dhe fikjen e flakëve në parqet kombëtare, zonat e banuara, si dhe në terrenet më të vështira dhe të paarritshme. Përpjekjet e tyre kanë qenë vendimtare për të ndaluar dëmet e mëtejshme. Gjatë gjithë misionit në Shqipëri, avioni rumun kreu gjithsej 23 hedhje, duke përdorur një total prej 141,000 litrash uji në zonat e: Liqenit të Prespës, Malit të Tomorrit, në fshatin Nënshetaj, në Orosh të bashkisë Mirditë, në Fushë Bulqizë dhe në fshatin Arrën në Bashkinë e Kukësit”, thuhet në njoftim.
Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, ka shprehur mirënjohje për stafin rumun të angazhuar në këtë operacion të ndërlikuar, duke vlerësuar profesionalizmin dhe përkushtimin e tyre gjatë gjithë misionit. Vengu ka falënderuar gjithashtu Mekanizmin Evropian të Mbrojtjes Civile për mbështetjen e pakursyer dhe bashkëpunimin e ngushtë në koordinimin e këtyre përpjekjeve.
“Ky mision ishte një shembull i shkëlqyer i solidaritetit evropian dhe bashkëpunimit ndërkombëtar në momente kritike. Ndihma e dhënë nga Rumania dhe Mekanizmi Evropian i Mbrojtjes Civile ka qenë e paçmueshme për menaxhimin e situatës emergjente në vendin tonë,” tha Vengu.
I pranishëm në këtë aktivitet Ambasadori rumun në Shqipëri, Oktavian Serban, falënderoi Bashkimin Evropian për vendimin që morën për të ndërhyrë si dhe trupat shqiptare për punën e tyre në luftën me zjarret dhe bashkëpunimin shumë të mirë.