Gazetari i njohur Blendi Fevziu nuk i ka kursyer kētë sezon kritikat për jugun e Shqipërisë, duke nisur nga çmimet e larta, te abuzimet e pronarëve të bizneseve qoftë me hapësirat publike, qoftë me pushuesit.
Së fundmi ai ka publikuar një video ku thotë se në plazhet e jugut nuk mund të pushosh pa tapa veshësh, pasi muzika e lartë shqetëson çdo turist.
Gazetari thekson se ka edhe familjarë nëpër baret e tjera, të cilët kanë shkuar për të shijuar plazhin dhe jo muzikën e lartë.
“Nëse keni ardhur për plazh në jugun e Shqipërisë, mos harroni tapat e veshëve. Po nuk vendose tapat e veshëve është e pamundur që të qëndrosh në shezlon. Nuk është problemi te muzika, se muzika është e bukur, por shkatërron të gjitha lokalet e tjera. Një lokal detyron pushuesit e dhjetë lokaleve të tjera të dëgjojnë këtë muzikë, mund të ketë njerëz që kanë dëshirë që të qëndrojnë në qetësi. Nëse të gjitha lokalet do të kishin këtë nivel muzike, do të ishte e pamundur që të qëndroje këtu”, thekson Fevziu.