Ditën e nesërme banorët e Himarës do të votojnë për të zgjedhur kryebashkiakun e ri. Zgjedhjet në Bashkinë e Himarës pritet që t’i japin zgjidhje një beteje 15 mujore për të parin e himarjotëve, një sagë që nisi me arrestimin e Fredi Belerit dhe më pas edhe të kryetarit në detyrë, Jorgo Goro.

23 mijë e 74 qytetarë të Himarës do t’i drejtohen të dielën kutive të votimit për të zgjedhur mes dy kandidatëve, Vangjel Tavo i socialistëve dhe Petro Gjikuria i opozitës. 36 qendrat e votimit në Himarë do të hapen në orën 07:00 dhe do mbyllen në 19:00.

Materialet zgjedhore kanë mbërritur në Himarë një ditë më parë, ndërsa KQZ do të bëjë shpërndarjen e tyre orët e para të mëngjesit me qëllim që qendrat e votimit të jenë gati në orën 07:00 të së dielës. Në Himarë do të aplikohet vetëm identifikimi elektronik dhe qendrat e votimit do të jenë të monitoruara me kamera. Pas mbylljes së votimit pritet të nisë edhe numërimi i votave.

Petro Gjikuria u prezantua zyrtarisht si kandidat i partive opozitare më datë 17 korrik, gjatë një tubimi elektoral me banorë të zonës. Ndërsa emri i Vangjel Tavos ishte lakuar më herët, por kandidatura e tij u zyrtarizua pasi hoqi dorë nga detyra e Prefektit të qarkut Vlorë.

Bashkia e Himarës u bë qendër e një konflikti të madh politik që zgjati rreth 15 muaj. Gjithçka nisi në zgjedhjet vendore të 2023, ku dy ditë para zgjedhjeve, më 12 maj, kandidati i opozitës Fredi Beleri u arrestua për korrupsion zgjedhor.

Akuzat nisën nga opozita që e cilësoi arrestimin e Belerit politik, ndërsa çuarja e tij në qeli futi në ngërç dhe marrëdhëniet diplomatike mes Shqipërisë dhe Greqisë. Beleri nuk e ushtroi detyrën e tij asnjë ditë, edhe pse bëri një betejë të gjatë ligjore për të marrë leje për t’u betuar, por kërkesa e tij nuk u aprovua asnjëherë.

Në burg përfundoi edhe kryebashkiaku në detyrë i Himarës, Jorgo Goro i cili po ashtu u arrestua më 23 mars për tjetërsimin e pronave në Himarë. Dënimi i Fredi Belerit me 2 vite burg nga Apeli i GJKKO i hapi rrugë zgjidhjes së ngërçit në Bashkinë e Himarës, ndërsa KQZ i hoqi mandatin si kryebashkiak i Himarës.

Zgjedhjet e pjesshme në Himarë u shpallën brenda disa orëve në një koordinim vendimesh mes KQZ-së, Kryeministrisë dhe Presidentit të Republikës, procedura që u kontestuan në gjykatë nga Fredi Beleri. Ky i fundit kërkoi rrëzimin e dekretit të presidentit Bajram Begaj për shpalljen e zgjedhjeve pasi sipas tij ende nuk kishte kaluar afati i ankimit të vendimit të KQZ, por kërkesa e tij u rrëzua nga Gjykata Administrative e Tiranës.

Me dy kryetarë në burg, Bashkia e Himarës u drejtua fillimisht nga nënkryetarja Blerina Bala, e cila më pas u dorëhoq dhe aktualisht bashkia drejtohet nga Arqile Bollano.