Kryeministrja italiane Giorgia Meloni ka përgënjeshtruar lajmin se po planifikon të blejë vilë në Palasë. Lajmin e ka bërë të ditur gazeta e njohur italiane, Corriere della Sera.
Sipas gazetës, Meloni është shprehur e trondit nga lajmi i rremë dhe lehtësia me të cilin u përhap ai.
“Nuk është absolutisht e vërtetë. Si mund të jepen si lajm gjërat që nuk i kam menduar asnjëherë,” citon gazeta kryeministren italiane.
Pak ditë më parë gazeta ‘Il Foglio’ publikoi një artikull sipas të cilit kryeministrja italiane po blinte një vilë me pishinë në bregdetin e Palasës.
Sipas gazetës, e cila i referohej burimeve politike dhe diplomatike nga Tirana, investimi i Melonit do të çimentonte edhe më tej marrëdhenien e saj me Edi Ramën.
Lajmi u përcoll edhe nga shumë media të tjera duke u lidhur edhe me ndërtimin e Qendrave të Emigrantëve në Shqipëri, zemra e rrahjes së marrëveshjes së arritur me Edi Ramën.
Me pak fjalë, blerja hipotetike e vilës në Shqipëri do të ishte (edhe) një lloj favori nga Meloni për Ramën (ose anasjelltas). Por sipas Corrieres të gjitha këto janë të pavërteta dhe pjesë e një fushate shpifje mbi kryeministren italiane.