Sipas MeteoAlb do të vijojë Shqipëria nën ndikimin e masave ajrore të qëndrueshme atmosferike; duke bërë që moti i kthjellët të jetë dominues gjatë orëve të paradites, por herë pas-here priten edhe vranësira të lehta e kalimtare.

Pjesa e dyte e ditës do të sjellë vranësira më të shpeshta në territor ku më të theksuara vranësirat do të jenë në ekstremin verior si edhe në Juglindje të Shqipërisë, por nuk priten reshje.

Temperaturat e ajrit do të pësojnë rritje të lehtë si në vlerat minimale edhe në ato maksimale duke luhatur vlerat ditore nga 15°C vlera minimale deri në 37°C vlera maksimale në rang territori.

Era do të fryjë mesatarisht me shpejtësi mbi 55 km/h nga drejtimi kryesisht veriperëndimor duke krijuar në brigjet detare dallgëzim 3 – 4 ballë.

Kosova

Do të mbeten prezente masat ajrore të qëndrueshme duke sjellë mot të kthjellët; në pjesën më të madhe të Kosovës; gjatë orëve të para të ditës.

Pjesa e dytë e ditës do të dominohet nga kthjellime dhe vranësira të shpeshta në të gjithë territorin ku më të theksuara vranësirat do të jenë në zonat malore përgjatë shtrirjes Veri – Veriperëndim, por nuk priten reshje.

Parashikohet që situata e motit të mbetet stabël deri mëngjesin pas-ardhës. Temperaturat e ajrit do të pësojnë rritje në të dy vlerat ekstremale ditore duke u luhatur nga 12°C minimalja e shënuar përkatësisht në qytetin e Mitrovicës deri në 32°C vlera maksimale e cila do të shënohen në qytetin e Prizrenit.

Era do të fryjë e lehtë paradite, por mesatare gjatë pasdites duke arritur shpejtësinë maksimale deri në 45 km/h nga drejtimi Verior – Veriperëndimor.

Maqedonia e Veriut

Moti i kthjellët dhe i ngrohtë; do të mbizotërojë në të gjithë republikën e RMV; ku më të theksuara kthjellimet do të paraqiten përgjatë zonave në Jug dhe Jugperëndim të territorit, ndërsa me alternime kthjellimesh dhe vranësirash të shpeshta do të jetë moti në pjesën tjetër të RMV; E njëjta situatë e qëndrueshme meteorologjike do të vijojë në mbrëmje dhe gjatë natës.

Temperaturat e ajrit do të pësojnë rritje të lehtë si në vlerat minimale edhe në ato maksimale duke luhatur vlerat ditore nga 11°C vlera minimale deri në 36°C vlera maksimale e cila do të shënohet në qytetin e Shkupit.

Era do të fryjë e lehtë gjatë paradites, por deri mesatare; në pjesën e dytë të ditës duke arritur shpejtësinë maksimale deri në 55 km/h nga drejtimi kryesisht; veriperëndimor.

Europa

Prezenca e një qendre të presionit të ulët atmosferik përkatësisht në Atlantikun Verior me ndikim deri në Veriperëndim të kontinentit do të sjellë reshje të dendura shiu dhe stuhi të forta ere në rajonin e Baltikut dhe ishujt Britanikë.

Po ashtu, pjesërisht Europa Qendrore do të përfshihet nga rrebeshe shiu si edhe mini- stuhi breshëri, ndërsa moti i kthjellët dhe vranësirat e pakta do të mbizotërojnë në pjesën më të madhe të Jugut të kontinentit; si pasojë e zgjerimit të Anticiklonit të Azoreve ku temperatura të larta do të përjetojë; gadishulli Iberik si edhe brigjet greke.