18 gushti për besimtarë bektashinj shënon datën e nisjes së pelegrinazhit drejt Malit të Tomorrit, i cili do të zgjasë një javë rresht.
Festa e shenjtë e bektashinjve do të përfundojë në datën 25 gusht, ku mijëra besimtarë çdo vit vijnë nga e gjithë Shqipëria për të festuar të Teqen e Kulmakut, vend ky që për besimtarët konsiderohet i shenjtë. Për një javë Mali i Tomorrit do të pushtohet nga besimtarët të cilët pasi drejtojnë lutjet e tyre, kulmin e festës e arrijnë pasi bëjnë kurbanin.
Policia e shtetit duke parë që për çdo vit trafiku rëndohet që në Hyrje të Beratit e deri në Teqen e Kulmakut, thotë se kësaj herë ka marrë masë për të parandaluar çdo incident që do të shtonte radhët e gjata në trafik. Për këtë arsye në akset rrugore Berat-Dimal, si dhe Çorovodë Mali i Tomorrit nuk do të lejohen të qarkullojnë mjetet e tonazhit të rëndë, nga ora 06:00-24:00,gjatë gjithë ditëve të pelegrinazhit.
Ndërsa autobusët, furgonat me mbi 8 persona dhe minibusët nuk do të lejohen të qarkullojnë në aksin rrugor “Plirëz–Teqeja e Kulmakut–Mali i Tomorrit”. Për shkak të parametrave të rrugës, në segmentin rrugor “Plirëz-Teqeja e Kulmakut”, qarkullimi i mjeteve do të kryhet në kolonë dhe nuk do të lejohen parakalimet.
Në terren do të jenë efektivë që do të mbikëqyrin 24 orë dhe do të menaxhojnë çdo situatë të krijuar në akset rrugore, si dhe në ambientet rreth teqesë në Kulmak, ku dhe do të kryhen ritet fetare.