Shqipëria listohet në vend të parë në botë për ujin më blu të plazheve. Kërkimi është publikuar nga revista e njohur Travel+Leisure. Hulumtimi doli në përfundimin se Plazhi i pasqyrave në Sarandë ka ujin më blu në botë.
Sipas revistës prestigjioze grupi “CV Villas” që është një agjenci prestigjioze udhëtimesh analizoi rreth 200 plazhe përreth botës, duke përdorur kodin RGB të ngjyrës dhe duke e kryqëzuar atë me kodin YInMn Blue ose bluja më e thellë që ekziston.
Në artikull thuhet se Plazhi Pasqyra është vetëm 12.4 pikë (ose gradacione) larg nuancës YInMn Blue, çka e vendos atë të parin në listë, ndjekur nga Plazhi i Gjatë në Greqi, e pastaj Kassiopi po në Greqi në vendin e tretë ndjekur nga Plage de la Vernette në Francë e Plazhi Kaputaş në Turqi.
I njohur në mbarë botën si ‘Plazhi i pasqyrës’, konsiderohet të jetë një kulm i vijës bregdetare shqiptare kur rrezet e diellit bien në sipërfaqen e detit, duke krijuar një efekt të ngjashëm me pasqyrën fenomen nga i cili ka marrë edhe emrin.
Sipas revistës Travel+Leisure plazhi ndodhet në skajin jugor të vendit, i vendosur midis formacioneve të mëdha shkëmbore që ndihmojnë për ta mbrojtur atë nga era. Për shkak të vendndodhjes së tij gjysmë të largët, plazhi ka vetëm një restorant dhe bar, por kjo është më se e mjaftueshme për të bërë një ditë fantastike plazhi thuhet në artikull.
Plazhi konsiderohet një perlë e fshehur dhe që vizitohet nga shumë turistë vendas e të huaj. Në shkrim i rekomandohet turistëve që të vizitojnë Shqipërinë nëse duan të shohin ujërat më të kaltër se kudo.