Pakënaqësia që vlon prej kohësh në Serbi me planet për çeljen e minierave të litiumit në vend dhe kompanisë Rio Tinto kulmoi me një tubim gjigant në Beograd, ku dhjetëra mijëra vetë kanë mbushur sheshin qendror te qyteti dhe rrugët përreth tij.
Numri i protestuesve ishte aq i madh sa që kamerat e disa televizioneve patën probleme me regjistrimin e fjalimeve të parapara në këtë tubim. Protesta u ndoq nga kanale të shumta në rrjetet sociale, edhe pse duket se kishte edhe probleme të mëdha teknike. Turma u përhap në të gjithë qendrën e Beogradit. Sipas policisë, në miting morën pjesë 30 mijë vetë, ndërsa organizatorët flasin për të paktën 80 mijë.
Njerëzit i druhen pasojave të atij që në fakt është një projekt mjaft ambicjoz i presidentit Aleksandar Vucic, teksa minierat e shumëdiskutura të litiumit atje llogaritet të shërbejnë si burim jetik për tranzicionin e Europës drejt energjisë së gjelbërt. Por ndryshe e shohin protestuesit në rrugë. Nëse ne nuk do të jemi këtu sot, fëmijët tanë do të jenë ose të vdekur ose jashtë vendit, tha për AFP-në një tubues, Milos Kovecalovic, i cili druhet se Serbia do të kthehet thjesht në një kolonie minierash.
“Nuk kemi zgjidhje tjetër, ose do të luftojmë të ardhmen e vendit, për një ardhme të pastër dhe për një mjedis të shëndetshëm, ose pasojat do t`i vuajnë fëmijët tanë.”
Mesazhi bazë i kësaj proteste është: “Rio Tinto nuk duhet të gërmojë”. Aktorja Jelena Stupljanin deklaroi se “Europa vetë po i kthehet ruajtjes së mjedisit, ndërsa qeveria jonë kërkon ta shesë atë, vetëm që autokrati të mbetet në pushtet”.
Autoritetet serbe angazhuan të gjitha burimet politike dhe mediatike për t’i paraqitur kundërshtarët e projektit si luftëtarë kundër përparimit të Serbisë, dhe se protestat janë në fakt një përpjekje për të rrëzuar me dhunë autoritetet. Në këtë kuptim, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, deklaroi “se ka marrë njoftim nga shërbimet sekrete ruse se nën maskën e protestave po përgatitet grusht shteti në rrugë dhe rrëzimi i qeverisë”.