Nga Spartak Ngjela

Ja një përsëritje e shkurtër e historisë së Shqipërisë në lidhje me shtetin e dytë shqiptar të pavarur, Kosovën

Kosova ka krijuar historinë e dytë moderne të shqiptarisë.
Maqedonia po pret radhën.
I.

Dhe ja pyetjet historike:
Çfarë ka sjellë në këtë kohe moderne ekzistenca e dy shteteve shqiptare në Gadishullin Ilirik.
Çfarë përfaqësojnë si histori aktuale termat Shqipëria e Madhe, dhe Shqipëria Etnike?
A ka ardhur sërish koha e Shqipërisë Etnike?

Aleanca e ngushtë shqiptaro – amerikane, a do ta sjellë popullin shqiptar tek koha e tij e humbur dhe e grabitur nga Serbia, Rusia e nga Greqia, në vitin 1912 – 1913?
Çfarë ka qenë Shqipëria e Madhe në vitet 1940 – 1944?

A do dënohet ndërkombëtarisht krimi antinjerëzor i Greqisë për vrasjen e shqiptarëve etnikë të Çamërisë dhe shpërnguljen me dhunë të tejme të shqiptarëve nga Çamëria e tyre e dashur, në vitin 1945?
A do t’ia kërkojë Shqipëria Greqisë dëmin e madh financiar dhe ekonomik që Greqia i ka shkaktuar si pasoje e pastrimit etnik, që iu bëri shqiptareve etnikë, të vrarë masivisht e të përzënë nga trojet e tyre etnike?
A e di Greqia dhe Serbia sot që Shqipëria dhe Kosova kanë një aleat të ngushtë, dhe ky aleat është në fakt superfuqia unike e botës: Shtetet e Bashkuara të Amerikës?
I.

Aleanca e ngushtë Shqipëri-Amerikë ishte një domosdoshmëri historike që duhej të kishte ndodhur që në vitin 1944, por në Shqipëri, me armatim anglez, në këtë vit erdhën në pushtet komunistët dhe krijuan armiqësinë artificiale: Shqipëri-Amerikë.

Kurse Shtëpia e Badhe, e mbajti të fortë miqësinë historike me shqiptarët: pas presidentit amerikan Wilson, që e shpëtoi Shqipërinë në vitin 1919, ishte presidenti amerikan Xhon Kenedi që, në takimin e tyre në Paris, në vitin 1962, i tha kryetarit të shtetit sovjetik Nikita Hrishovit: “Nuk preket Shqipëria”. Por ky ishte viti kur, me ndihmën politike të Xhon Kenedit, Shqipëria u shkëput e sigurt nga forca e Bashkimit Sovjetik, dhe, me politikën e Kenedit, Kina u bë mbështetësi ekonomik e politik i Shqipërisë komuniste.

Por, në vitin 1972, ishte presidenti amerikan Richard Nixon që vuri veton per ta shpallur Kosovën republikë, dhe e detyroi Jugosllavinë e Titos që, në vitin 1974, ta shpallte Kosovën me autonomi të gjerë brenda Jugosllavisë: me parlamentin e saj, me qeverinë e saj dhe me të drejtën kushtetuese që, sipas radhës, Kosova kishte të drejtën e Presidentit të Jugosllavisë.
II.

Por çfarë po ndodh tani që, në Gadishullin Ilirik, janë dy shtete të pavarur shqiptarë: Shqipëri dhe Kosova?
Antishqiptarët, që nga Beogradi e deri në Moskë, po e shohin që shqiptarët po riformohen për të ardhur sërish tek Iliria e famshme eTeutës dhe tek Epiri i famshëm i Piros, prandaj ata po i luajnë të gjithë gurët që të intrigojnë zhvillimin e dy shteteve të pavarura shqiptare në Gadishullin Ilirik.
Dhe kanë hedhur në lëvizje agjenturën e tyre shqiptare edhe në Tiranë, edhe në Prishtinë.
Por, po lodhen kot.

Mbijetesa heroike e një populli që i ka shpëtuar shfarosjes së tij etnike, historia na ka thënë se, shkëlqimi i këtij populli vjen si domosdoshmëri historike.
Prandaj shqiptarët sot, si histori e re, janë brenda gravitacionit historik të zhvillimit të tyre gjithëkombëtar.
Në te vërtetë sllavët dhe grekët i ka trembur ajo që ata i thonë Shqipëri e Madhe, kurse ne i themi Shqipëria Etnike.

Ku është dallimi?
Dallimi qëndron në faktin historik që, Gjermania naziste, kur hyri në Shqipëri gjate Luftës së Dytë Botërore, pasi i bashkoi të gjitha trojet që i ishin grabitur Shqipërisë nga fuqitë e medha, e quajti këtë bashkim : Shqipëria e Madhe. Në këto troje ishin dy krahina te mëdha që vinin nga historia e lashtë e Shqipërisë: Kosova dhe Çamëria. Ato, fuqitë e mëdha ia dhënë Greqisë dhe Serbisë në vitin 1913.
Kurse në vitin 1943, forca gjermane që hyri në Shqipëri e quajti Shqipërinë Etnike: Shqipëria e Madhe.
Por pikërisht këtu filloi tragjedia e brendshme e popullit shqiptar, sepse, pas kapitullimit te Gjermanisë në vitin 1944, grabitësit e tokave shqiptare e quajtën Shqipërinë e Madhe një vepër naziste.

Kurse komunistët e Enver Hoxhes heshtën, dhe ia humbën shansin Shqipërisë që të jetonte në një shtet shqiptar, ashtu sikundër që e strukturoi dhe e humbi AustroHungaria në vitin 1912-1913.
Por, historia etnike e një etnie që nuk e ka humbur gjuhën origjinale të etnisë, nuk zhduket dot kurrë. Sepse koha historike e sjell tek krijimi i një shteti etnik të pavarur.
Një e tillë ishte, edhe Shqipëria në vitin 19012, por edhe Kosova në vitin 2008.
Dhe pikërisht ky fakt i vitit 2008, vërteton vijimin e pavarësisë etnike të gjithë Shqipërisë Etnike në Gadishullin Ilirik.

Dhe kjo do të vijë.