Mbrëmë në Bibaj të Ferizajt është qëlluar për vdekje 89-vjeçari Sadri Sadriu, i cili siç raportohet në media është axha i bashkëshortit të presidentes Vjosa Osmani, Prindon Sadriu.
Sipas informacioneve të pakonfirmuara që dolën në mediat e Prishtinës, vrasja ndodhi nën dyshimet për “ngacdmim seksual” të dy vajzave (familjare të policit të dyshuar Festim Ramadani), nga ana e viktimës.
Po ashtu u raportua se bashkëshorti i Vjosa Osmanit dhe kjo e fundit ishin futur në një grup komunikimi në Facebook, ku familja Ramadani kishte rrëfyer gjitha pretendimet e tyre për tashmë viktimën Sadri Sadriu, për situatën e ndodhur.
Shefi i stafit të Presidentes Osmani, Bekim Kupina, cilëson se “kjo tendencë është me qëllim të qartë denigrimi dhe rrezikimi të jetës së Presidentes dhe familjes së saj të ngushtë”.
Ai tha se “Presidentja është në kontakt të vazhdueshëm me institucionet e sigurisë në mënyrë që ky plan i qartë për rrezikimin e jetës së saj e të familjes të trajtohet me prioritet”.
Kupina tha se çifti Sadriu nuk përdorin “asnjë grup komunikimi në asnjë rrjet social”.
“E gjithë kjo është shpifje me qëllim të implikimit të Presidentes në situata për të cilat as nuk ka njohuri e as lidhje. Presidentja dhe as Zotëria i Parë nuk përdorin asnjë grup komunikimi në asnjë rrjet social. Kjo është tërësisht e pavërtetë dhe tendencioze. Kjo tendencë është me qëllim të qartë denigrimi dhe rrezikimi të jetës së Presidentes dhe familjes së saj të ngushtë. Presidentja do t’i kundërshtoj me çdo mjet ligjor këto tendenca dhe tashmë ka kërkuar nga institucionet e sigurisë që ta trajtojnë këtë me urgjencë. Tendenca për të ndërlidhur rastin e mbrëmshëm me Presidenten dhe familjen e saj të ngushtë e shndërron atë në një objektiv, duke vënë në rrezik jetën e tyre. Kjo nuk ka të bëj me standard profesional të raportimit në media. Presidentja është në kontakt të vazhdueshëm me institucionet e sigurisë në mënyrë që ky plan i qartë për rrezikimin e jetës së saj e të familjes të trajtohet me prioritet”, tha Kupina.
Lidhur me rastin detaje ka dhënë Inspektorati Policor i Kosovës. Bazuar në informacionet fillestare, IPK thotë se dyshimet janë se zyrtari policor i dyshuar në këtë rast kishte shkuar në këtë lokacion dhe kishte shtënë me armë zjarri në drejtim të viktimës, i cili si pasojë e lëndimeve të pësuara ka ndërruar jetë .
“I dyshuari në këtë rast (zyrtari policor) pas kryerjes së veprës penale është vetdorëzuar në Stacionin Policor të Ferizajt ku edhe ka dorëzuar armën zyrtare e cila dyshohet se është përdorur në këtë rast. I dyshuari është arrestuar (dhe suspenduar) dhe me vendim të prokurorit të njëjtit i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë për shkak të dyshimit të veprës penale “Vrasja e rëndë” sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftimin e IPK’së.
Majori Qazim Reka ka bërë me dije se polici nuk ka qenë pjesë e festës familjare, duke shtuar se motivet ende nuk dihen.
“Polici nuk ka qenë në detyrë zyrtarë, jashtë detyrës zyrtare, ka qenë me rroba civile dhe me veturë civile ka kryer veprën në vendin e ngjarjes këtu para këtij lokali. Vrasja është kryer me armë zyrtare. Zyrtari policor është F.R dhe viktima është S.S….Motivet nuk dihen ende. Nuk ka qenë pjesë e ahengut familjar”, tha Reka.
Në njoftimin e prokurorisë thuhet se i dyshuari në këtë rast sipas informatave të para dyshohet se është zyrtar policor dhe i njëjti me vendim të Prokurorit të Shtetit, është ndaluar në kohëzgjatje prej 48-orësh për shkak të dyshimit të veprës penale “Vrasja e rëndë”.