2 shtatori do t’i rikthejë ligjvënësit në parlament. Pushimet për ta mbaruan dhe deputetët do nisin një sesion të ri jo fortë të qetë, me angazhim maksimal nga palët politike. Në sirtarët e kuvendit ka dosje të pluhurosura, të harruara, të neglizhurara ose lëna qëllimisht nga palët, që presin zgjidhje apo kërkojnë konsensus politik.
Çështja e Avokatit të Popullit ka mbetur “peng” i numrave dhe konsesusit mes palëve, duke mbajtur ende në detyrë Erinda Ballancën, të cilës mandati i ka përfunduar në maj të 2022-shit. Sesioni i kaluar u mbyll pa asnjë diskutim mbi emra konkret, e madje diskutime serioze nuk ka patur që pas procesit të dështuar në dhjetor të 2022-shit kur mazhoranca rrëzoi me votë propozimin e opozitës për kandidaturën e Ledio Brahos.
Edhe diskutimet për Reformën Zgjedhore që nisën në 2022-shin me komisionin e posacëm, e që përfunduan vetëm konsensusin politik të palëve vetëm për listat dhe votën e diasporës, pritet të rikthehen sërish këtë sesion. Palët ende nuk e kanë plotësuar detyrimin për një reformë të plotë para zgjedhjeve parlametare të 2025-ës sipas rekomandimeve të OSBE-ODIHR.
Janë pikërisht zgjedhjet e pranverës së ardhshme ato të cilat pritet të rrisin tensionin politik këtë sesion plenar, me socialistët që kërkojnë mandatin e katërt qeverisës dhe opozitën e cila premton aksion dhe kërkon zgjedhje të lira e të ndershme. Mazhoranca socialiste nga ana tjetër premton risi, me një kabinet të rifreksuar në fund të muajit korrik dhe me një parti të rienergjizuar në terren siç e kanë cilësuar vetë ata.
Ndryshe nga formati i Lindita Nikollës, ky sesion i ri pritet të ketë surpriza edhe për nga mënyra e drejtimit, me Elisa Spiropalin, një nga zërat kryesorë të mazhorancës në përballjet parlamentare me opozitën. Me pozicionin e ri, Spiropali duhet të zhveshë kostumin dhe retorikën politike të partisë së saj për të drejtuar me paanshmëri seancat plenare si Kryetare e Kuvendit.