Vdekja tragjike e manjatit britanik, Mike Lynch, vajzës së tij 18 vjeçare dhe 5 personave të tjerë që ndodheshin në jahtin “Bayesian” do të hetohet si “vrasje e shumëfishtë”. Kapiteni i jahtit, James Cutfield dëshmoi sërish para autoriteve se ai nuk kishte marrë paralajmërim për stuhi dhe tronadoja i gjeti të papërgatitur.
Cutfielfd, i cili njihet si një kapiten me një eksperiencë të gjatë për drejtimin e jahteve të mëdha, por ehde për njohuritë e tij për Mesdheun duhet të dëshmojë se si ishte e mundur që u fundos jahti “Bayesian”, që nga shumë ekspertë detar njihej si i “pambytshëm”.
Struktura e ndërtimit të Bayesian është ajo që ngre më shumë dyshime për fundosjen, pasi sipas ekspertëve sado të vështira të jenë kushtet e motit, jahti nuk do të përfundonte kurrë në fund të detit.
Madje shefi ekzekutiv i Bayesian tha se fundosja e tij është një “faj njerëzor”, Dyshohet se disa nga kapakët e jahtit ishin të hapur, por cilët prej tyre ndikuan kaq shumë në mbytjen e tij që solli në një tragjedi që u mori jetën 7 personave.
Pikëpyetjet që kërkojnë përgjigje?
Pikëpyetje të shumta janë ngritur rreth arsyeve përse super-jahti, i ndërtuar në vitin 2008 nga kantieri detar italian Perini Navi, u mbyt kaq shpejt, kur varka me vela e lidhur me të, “Sir Robert Baden Powell”, mbeti e paprekur nga furtuna dhe arriti të shpëtojë 15 të mbijetuarit.
A ishte thjesht një tornado e pazakontë që e përmbysi anijen dhe mundësoi që uji të futej brenda saj?
Jahte të tilla si “Bayesian-i” kanë nën ujë një bosht që i ndihmon të ruajnë stabilitetin, por që duhet tërhequr për t’iu afruar brigjeve të cekëta. Jahte të tilla gjithashtu duhet të kenë strukturë të papërshkueshme nga uji, të cilat janë projektuar posaçërisht për të parandaluar një fundosje të shpejtë katastrofike, edhe nëse disa pjesë mbushen me ujë.
Mes personave që janë në hetim është kapiteni Cutfield, ndoshta dhe zëvendësi i tij dhe njeriu që vëzhgonte natën në të cilën ndodhi dhe tornadoja, vorbulla e fuqishme që meteorologët e quajnë “downburst”
“Dyshimi im është se ata lanë derën anësore të hapur. Nëse mbyllja e jahtit është totale, uji nuk mund të hyjë. Edhe në kushte shumë të pafavorshme moti, anija rrotullohet, por nuk fundoset kurrë. Për këtë arsye besoj se dera anësore ka mbetur e hapur. Nëse do të ishte kështu, kur anija u përmbyt, tonelata ujë do të kishin hyrë në dhomën e motorit dhe nuk mund të bëhej më asgjë”, tha Franco Romani, një inxhinier që kishte punuar në projektin ‘Salute’, emri i Bayeisan kur u ndërtua në 2008.
Por dyshime të reja janë hedhur edhe nga personat të cilët kanë kontaktuar për herë të fundit me manjatin britanik. Gazetari i “The Times”, Danny Fortson, tha se ai foli për herë të fundit me Mike Lynch 7 javë më parë pasi përfundoi gjyqi i tij në SHBA.
“Në mbi 20 vitet e mia të gazetarisë, nuk kam hasur kurrë në një histori kaq tragjike dhe të frikshme. Para 7 javësh ne zhvilluam një intervistë që zgjati rreth 2 orë e gjysmë, ne folëm për jetën e tij si nga djali i dy prindërve emigrantë nga Irlanda u kthye në një nga njerëzit më të pasur të Britanisë. Pasi ai fitoi gjyqin u ndje sikur iu dha një “jetë e dytë”, tha Fortson.
Ishte një intervistë që mendonte se nuk do ta jepte kurrë. Lynch ishte akuzuar për orkestrimin e një mashtrimi të madh financiar. Gjykatësit amerikanë e kishin vënë në “bllokuar’ vitin e kaluar dhe e kishin ekstraduar në San Francisko për një gjyq që ai ishte i sigurt se do ta humbte. Më pak se gjysma e 1% e çështjeve penale federale në SHBA përfundojnë me një vendim të pafajshëm. Nëse shpallej fajtor ai do të dënohej deri në 25 vjet burg dhe 59-vjeçari mendonte se me gjasë do të vdiste në një qeli.
Lynch organizoi këtë udhëtim për të kompensuar kohën e humbur. Lufta ligjore dhe veçanërisht arresti i tij në shtëpi që çoi në gjyq, bëri që ai mos të kalojë kohë me dy vajzat e tij, Hannah, e cila sapo mbaroi gjimnazin, motrën e saj 22-vjeçare Esme dhe gruan e tij, Angela Bacares.
“Unë mora vendimin që mos t’i ndaloja ato të shkonin me pushime edhe pse unë nuk mundesha. Por fati ishte në anën time dhe unë munda të vërtetoj pafajësinë”, tha ai gjatë intervistës.
Udhëtimi me jaht nëpër Mesdhe. me 10 anëtarë të ekuipazhit dhe 12 të ftuar, u organizua pikërisht me këtë qëllim, festimin e pafajësisë. Sipas Fortson, Lynch iu dha një “jetë e dytë”, por fatkeqësisht zgjati 74 ditë.