Pas mbledhjes së qeverisë ditën e sotme ka reaguar për herë të parë për mbetjet toksike në Durrës zv/Kryeministrja Belinda Balluku:
“Do t’i bëja thirrje medias që të tregohen të kujdesshëm tek analizojnë këtë çështje. Do ta konsideroja të kompolikuar nga ana juridike. Afektojnë imazhin e Shqipërisë, do të ishte e udhës që të prisnim vendimet që do të dalin proceset që kanë nisur për këtë çështje mjedisore, që afekton imazhin e Shqipërisë. Çështja e mjeteve dhe porti i Durrësit janë dy gjëra të ndryshme sepse kam vënë re që përfshihen ministritë apo Autoriteti portual. Transporti i mbetjeve të rrezikshme ka filluar në ’98, kjo është për t’ju dhënë fakte që ka një protokoll të mirëfilltë për të cilin ministria e Mjedisit ua ka bërë me dije. Nuk është asgjë e re, ka edhe tranzitim dhe eksport të mbetjeve që janë të koduara në bazë të kodeve evropiane. Ka qenë procedure normale deri kur mori këtë përmasë, por duhet thënë se autoriteti portual s’ka asnjë lidhje me këtë proces. Autoriteti portual me koncesionarin që ka kryer këtë transporte janë dy entitete konkurrente. Do të ndalja këtu informacionin për këtë çështje pasi qeveria janë angazhuar që ditën e parë në bashkëpunim me OLAF, dhe do të kërkoja që secili t’i jepte kohën e duhur drejtësisë dhe më pas të flasim. Të mos e kthejmë këtë cështje procedurale në një çështje kombëtare dhe ndërkombëtare”, tha Balluku.
Çështja e eksportit të një sasie mbetjesh industriale nga porti i Durrësit, që dyshohet se përmbajnë lëndë të dëmshme helmuese, është kthyer në një histori dyshimesh të shumta, me shumë të panjohura.
Një hetim i dyfishtë është duke u kryer nga prokuroria e Durrësit në Shqipëri dhe nga zyra e Bashkimit Evropian kundër Mashtrimeve, OLAF, në Bruksel, mbi 100 kontejnerë të bllokuar së fundmi në Singapor, me origjinë nga porti i Durrësit.
Organizata jo qeveritare amerikane ‘Rrjeti i Aksionit të Bazelit’ i tha Zërit të Amerikës, se ajo është e bindur se porti i Durrësit, jo vetëm në këtë rast, por edhe në raste të tjera më parë është shfrytëzuar për të nxjerrë nga Shqipëria, rajoni dhe me gjasë edhe nga vende të tjera evropiane, mbetje të rrezikshme helmuese drejt disa vendeve aziatike.
Lidhur me këtë çështje ka reaguar Zëvendëskryeministrja Belinda Balluku.