Banka e Shqipërisë ka pezulluar aktivitetin financiar të dy shoqërive të kursim kreditit “Rroshkull One” dhe “Perlat”.
Shkak për këtë janë bërë shkeljet për mos raportime të sakta të pasqyrave financiare në regjistrin e kredive dhe mosmarrjen e masave kundër pastrimit të parave.
Në vendimin e Këshillit Mbikëqyrës të BSH-së thuhet se këto subjekte kanë shkelur ligjin për parandalimin e pastrimit të parave, pasi nuk kanë marrë informacion mbi burimin e të ardhurave të klientëve, nuk kanë analizuar profilin e tyre dhe nuk kanë kryer monitorime për transaksionet e kryera.
Për këtë arsye Banka e Shqipërisë ka vendosur pezullimin e shoqërisë kursim kreditit “Rrushkull One” për një periudhë 6 mujore, deri në janar të 2025-ës.
Brenda kësaj periudhe nuk do të lejohet depozitimi i parave në to, por vetëm tërheqja e tyre dhe shlyerja e kësteve të kredive.
Shoqëria e kursim-kreditit “Rrushkull One” ka nisur bashkimin me shoqërinë “Perlat” që prej 3 vitesh, ndaj Këshilli Mbikëqyrës ka vendosur edhe pezullimin e kësaj të fundit, duke i lënë mundësi vetëm vijimin e procedurave të bashkimit.
Pezullimi i këtyre kompanive vjen pas skandalit të mikro-kredive për të cilën Banka e Shqipërisë u hoqi licencën dy kompanive “Final” dhe “Microcredit Albania”.
Sipas Bankës së Shqipërisë aktualisht në Shqipëri ekzistojnë 16 shoqëri kursim-krediti, nga të cilat 5 prej tyre janë pezulluar të ushtrojnë aktivitetin e kredi-dhënies, për periudhën 2015-2016.