Donald Trump ka rënë pre e një tjetër “sulmi’. Përgjegjësit e fushatës për kandidatin republikan Donald Trump bënë me dije të shtunën se u ishin hakeruar komunikime të brendshme mes partisë dhe një dosje për J.D. Vance. Për sulmin kibernetik është fajësuar një “agjent nga përtej detit”.
Edhe pse nuk e përmendën me emër, ekipi i Trump la të kuptohej se pas hakerimit qëndronte Irani.
Marrëdhëniet e Trump me Teheranin
Faqja e lajmeve Politico raportoi më parë se kishte marrë email nga një përdorues anonim me dokumente të brendshme të fushatës bashkangjitur.
“Këto dokumente janë marrë në mënyrë të paligjshme nga burime të huaja armiqësore ndaj Shteteve të Bashkuara me qëllimin për të ndërhyrë në zgjedhjet e 2024 dhe për të bërë kërdi në procesin tonë demokratik,”-tha në një deklaratë një zëdhënës i fushatës së ish-presidentit republikan, Stephen Chang.
Delegacioni iranian në Kombet e Bashkuara u kundërpërgjigj se autoritetet iraniane “nuk kanë ndërmend të ndërhyjnë në zgjedhjet presidenciale të SHBA” ose të kryejnë sulme kibernetike.
Marrëdhëniet e ish-presidentit me Iranin ishin jashtëzakonisht të tensionuara gjatë mandatit të tij. Në vitin 2020, një sulm i SHBA në aeroportin e Bagdadit vrau gjeneralin Qassem Soleimani – kreu i Forcës Quds të Gardës Revolucionare – ndërsa SHBA u tërhoq nga marrëveshja ndërkombëtare për programin bërthamor të Republikës Islamike. Teherani ka kërcënuar prej kohësh se do të hakmerret ndaj Trump për sulmin me dron, por asgjë nuk ka ndodhur që atëherë.
Informacion mbi planin iranian kundër Trump
Kandidati republikan i mbijetoi një atentati ndaj tij në korrik. Megjithëse nuk kishte asnjë indikacion se sulmuesi ishte i lidhur me Iranin, CNN raportoi muajin e kaluar se agjencitë e inteligjencës amerikane kishin informacione për një komplot iranian kundër Trump. Teherani e mohoi kategorikisht informacionin.
Departamenti Amerikan i Drejtësisë javën e kaluar zbuloi gjithashtu se kishte ngritur akuza penale kundër një shtetasi pakistanez me lidhje me Iranin, i cili thuhet se kishte planifikuar tentativa për vrasje ndaj figurave politike amerikane, duke përfshirë potencialisht Trump.