Duket sikur nuk ka më kthim pas. Për t’iu përgjigjur armëve të NATO-s, Moska po synon “Skyfall”, superarma sekrete e presidentit Vladimir Putin, e cila sipas ekspertëve ushtarakë, do të ishte raketa e parë me energji bërthamore.
Një aksident në vitin 2019 bëri që testi i parë i raketës të dështonte. Tani, sipas disa ekspertëve, “Cari” po përgatit një përpjekje të re dhe konstatojnë se “do të përfaqësonte një kërcënim bërthamor për SHBA-në”.
Në këtë moment krize për ofensivën e Kurskut, Kremlini mund të kërkojë një goditje për imazh, duke e forcuar besueshmërinë e tij me shfaqjen e një arme praktikisht të paprecedentë: Një raketë me energji bërthamore!
Kjo do të thotë, një pajisje e shtyrë nga një burim atomik, i cili do ta lejonte atë të qëndronte në fluturim për një kohë të pakufizuar përpara se të hidhej në objektiv, raporton “La Repubblica”. Është e qartë se një instrument kaq i shtrenjtë ka një qëllim strategjik: të kërcënojë me hakmarrje bërthamore kundër Shteteve të Bashkuara.
Projekti është realizuar prej vitesh dhe quhet “Burevestnik” (Zogu i stuhisë), megjithëse NATO i ka dhënë emrin “Skyfall”, njëlloj si një film nga seria e “James Bond 007”, duke e klasifikuar atë si një superarmë, që askush nuk mund të përgjonte dhe që do t’i kishin kthyer epërsinë ushtarake Rusisë. Shtypi rus e përshkroi atë si dymbëdhjetë metra të gjatë, me një profil fluturimi në lartësi të ulët, për t’i shpëtuar radarit dhe një shpejtësi rreth 900 kilometra në orë.
Sidoqoftë, konfigurimi është shumë i ndërlikuar. Në gusht 2019 ndodhi një aksident misterioz që shkaktoi alarmin radioaktiv në zonën e Severodvinsk. Disa inxhinierë dhe punëtorë vdiqën, pjesërisht nga Ministria e Mbrojtjes dhe pjesërisht nga kompania bërthamore “Rosatom”.
Numri i viktimave duket se ka qenë më shumë se dhjetë. Sipas burimeve të inteligjencës, reaktori “Burevestnik” shpërtheu gjatë një prove. Putin nderoi kujtimin e atyre teknikëve në atë kohë:
“Ne po flasim për idetë më të avancuara dhe inovative në hartimin e një arme, që do të garantojë sovranitetin dhe sigurinë e Rusisë në dekadat në vijim”, u shpreh ai.
Programi rifilloi në fshehtësinë më të madhe dhe në tetor 2023 Kremlini njoftoi përfundimin “me sukses” të një testi “Burevestnik”, por nuk pati asnjë gjetje të asnjë lloji.
Megjithatë, ditët e fundit, satelitët komercialë kanë fotografuar aktivitet intensiv në vargun Novaya Zemlya, i vendosur në një arkipelag pranë Arktikut.
Në imazhet mund të shihni një strehë të lëvizshme që mund të përmbajë prototipin e raketës, ndërsa i afrohet një rampe. Analistët si Thord Are Iversen norvegjez dhe amerikani MT Anderson, hipotetizojnë se këto janë përgatitje për një lëshim provë, ndoshta i pari në të cilin do të përdorej shtytësi revolucionar.