Mos e quani Shqipërinë “Greqia e re” apo “Maldivet e lira”. Vija e saj bregdetare është plot me surpriza – dhe shtigjet me pamje përrallore ndodhen pikërisht në zemër të saj, shkruan Marianna Hunt në një artikull të botuar në të përditshmen britanike “The Times”.
Ne kaluam nëpër të njëjtat pyje të dendura me pisha dhe bredha ashtu si Jul Çezari në vitin 48 p.e.s., gjysmë të nervozuar dhe të emocionuar nga mendimi se do të përballeshim me macet e egra, ujqërit dhe derrat e egër evropianë – që jetojnë mes pemëve të Parkut Kombëtar të Llogorasë në Shqipëri.
Papritur ne – partneri im, dhe unë – u surprizuam dhe mahnitëm nga malet përreth, luginat e veshura me pisha dhe ujërat bruz të detit Jon.
Ishim në mes të një prej ecjeve tona, të organizuara nga operatori turistik “Walks Worldwide”, dhe kjo pamje justifikonte të gjitha arsyet tona për të vizituar Shqipërinë.
Bregdeti i Jonit në Shqipëri ka tërhequr një numër në rritje udhëtarësh ndërkombëtarë vitet e fundit – falë fshatrave të përsosura si Ksamili, i cili ka plazhe të bardha të pacenuara, të konsideruara në Instagram si “Maldivet e Evropës”.