Egli Proga është vrarë! Në këtë përfundim ka dalë Policia e Pogradecit pas hetimit të ngjarjes duke vendosur në pranga autorin e vrasjes, 29-vjeçarin Denis Meçe. I riu Proga, 37 vjeç, u gjet dje i shtrirë në rrugë pa ndjenja dhe me plagë të rënda. Fillimisht u dyshua se i riu ishte rrëzuar, por hetimet zbardhen versionin e vërtetë të ngjarjes.
Nga zbardhja e dinamikës së ngjarjes është mësuar se viktima dhe autori janë konfliktuar në ambientet e jashtme të një lokali. Aryseja e konfliktit ende nuk është zbuluar! Pas sherrit, Proga është futur sërish për disa minuta brenda lokalit dhe kur ka dalë në rrugë ka rënë në tokë pa ndjenja.
Edhe pse u dërgua në spital, nuk mundi që t’i mbijetonte plagëve të marra. Për ngjarjen, Policia ka vendosur në pranga edhe 3 persona të tjerë: V. S., 40 vjeç, A. M., 55 vjeç, dhe L. G., 47 vjeç, të cilët akuzohen për “Moskallzim krimi”, dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”. Të tre kanë qenë të pranishëm në momentin e vrasjes dhe nuk e kanë kallëzuar krimin.
NJOFTIMI I PLOTË:
Pogradec.
Konfliktohet për motive të dobëta me një shtetas dhe gjatë konfliktit i shkaktoi dëmtime me pasojë vdekjen, kapet dhe vihet në pranga nga Policia autori i dyshuar. Në pranga edhe tre shtetas të tjerë për moskallzim krimi dhe veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës. Në lagjen nr. 1 Pogradec, gjatë një konflikti për motive të dobëta shtetasi D. M., 29 vjeç, dyshohet se jashtë ambienteve të një lokali është konfliktuar fizikisht me shtetasin E. P., 42 vjeç, i cili gjatë konfliktit fizik është rrëzuar në tokë pa ndjenja dhe për pasojë ka ndërruar jetë. Shtetasi D. M., 29 vjeç, pas konflikt është larguar nga vendi I ngjarjes por falë reagimit në kohë të Policisë u bë e mundur kapja dhe arrestimi i tij për veprën penale “Vrasja me dashje”.
Në vijim të veprimeve për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë ligjor të kësaj ngjarjeje, shërbimet e Seksioni për Krimet Kundër Personit në DVP Korçë në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Pogradec arrestuan në flagrancë shtetasit: V. S., 40 vjeç, A. M., 55 vjeç, dhe L. G., 47 vjeç, për veprat penale “Moskallzim krimi”, dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”. Këta shtetas kanë qenë të pranishëm kur ka nodhur ngjarja dhe nuk kanë kallzuar krimin duke penguar zbardhjen e së vërtetës. Materialet proceduriale i kaluan Prokuroris pranë Gjykatës së shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë.