Avokatja Klodiana Gjyzari, e cila mbron ish-kryeministrin Sali Berisha, i marrë i pandehur për aferën e privatizimit të ish-kompleksit sportiv Partizani, është paraqitur në orën orën 10:00 në ambientet e Prokurorisë së Posaçme, ku ka firmosur mbylljen e hetimeve të dosjes “Partizani” si dhe ka të tërhequr të gjitha aktet hetimore. Gjyzari ka firmosur mbylljen e hetimeve edhe për financieren Andia Pustina, e cila po ashtu është avokate e kësaj të fundit.
Ndërkohë avokati i dhëndrit të Berishës tërhoqi aktet hetimore përpara kohe, ndonëse prokuroria kishte caktuar orën 14.00 si kohë për paraqitjen e Malltezit dhe të mbrojtjes së tij ligjore. Ndërsa në orën 09.00 në dyert e SPAK mbërriti edhe mbrojtësi ligjor i Xhimi Begeja, po për të kryer të njëjtën procedurë
Prokuroria e Posaçme të hënën mbylli hetimet për privatizimin e ish klubit sportiv “Partizani”, ndërsa thirri të pandehurit të vinin në SPAK për të firmosur përfundimin e dosjes.
Çfarë ndodh tani?
Dosja prej 500 faqesh e përpiluar nga prokurorët e SPAK Arben Kraja dhe Enkeleda Millonai kalon në GJKKO në të cilën me short elektronik zgjidhet një gjyqtar për seancën paraprake.
Gjykatësi paraprak vendos nësë janë kryer hetime të plota, dhe nëse dosja do të kalojë për gjykim apo do ta rikthejë në SPAK për hetime të mëtejshme, ose vendos të rrëzohet çështja.
Këtu nis përballja në Gjykatën e Posaçme. Nëse gjyqtari pranon aktet e dosjes së SPAK, atëherë gjyqi cilësohet i çelur dhe nis shqyrtimi në themel me seanca në vijim dhe trup gjykuese.
Berisha dhe Malltezi vijojnë të jetë nën masën e sigurisë ‘arrest shtëpie’ dhe kanë mohuar akuzat duke i quajtur si të stisura nga kryeministri Edi Rama. Madje në cdo dalje sulmojnë prokurorët e SPAK dhe kreun e kësaj prokurorie Altin Dumani.
Dosja
Kompleksi sportiv ‘Partizani’ me 26 mijë metër katrorë, pronë e ushtrisë, me të ardhur në pushtet kryeministri Berisha u zëvendësua brenda pak vitesh nga një kompleks pallatesh me 19 kulla, për të cilin prokurorët thonë se iu hap rruga përmes korrupsionit pasiv e aktiv nga Sali Berisha, Jamarbër Malltezi dhe Fatmir Bektashi.
Jamarbër Malltezi dyshohet se ka kryer korrupsion pasiv në bashkëpunim me vjehrrin e tij Sali Berisha, duke shfrytëzuar pushtetin e tij si kryeministër, duke përfituar nga privatizimi i terreneve dhe objekteve sportive, nga ndryshimi i destinacionit nga zona sportive në zona banimi. Malltezi akuzohet nga SPAK se ka përfituar shuma të konsiderueshme në cilësinë e investuesit nga shoqëria “Homeplan” sh.p.k., pa investuar në të, si dhe përfitime të marra para se të deklarohej si bashkortak në këtë shoqëri. Në 22 tetor SPAK tha se përfitimi i Jamarbër Malltezit ka qenë 5.4 milinë euro
Ndërsa për Fatmir Bektashin, Xhimi Begenë dhe Andia Pustinën u ngrit akuza për pastrim parash. Akuzohen se kanë ndihmuar Malltezin përmes veprime financiare, transaksione të copëzuara, apo në cash, për të fshehur origjinën dhe për të përfituar në mënyrë të paligjshme të ardhurat miliona euro.
Lajm në përditësim…