Tashmë i dëshpëruar për saktësinë dhe sasinë e informacionit që Report TV dhe Shqiptarja.com kanë publikuar prej vitesh mbi skandalin e privatizimit të ish-kompleksit Partizani, Sali Berisha ka arritur deri aty sa ka vënë gazetarin Carlo Bollino (i cili menaxhon dy mediat) në të njëjtin nivel me SPAK-un që po e ka vene nën akuza për korrupsion bashkë me dhëndrin e tij Jamarber Malltezi. Berisha natyrshëm e bëri në mënyrën e tij, duke deklaruar sot se nuk do t’i përgjigjej asnjë pyetjeje për sqarim të drejtuar nga Carlo Bollino për dosjen ”sepse do të ketë të njëjtin trajtim sikur të ishte anetar i organizatës kriminale te SKAP-it të partisë”. Pak më parë ai kishte aluduar se Carlo Bollino së bashku me disa gazetarë të tjerë, emrat e të cilëve nuk ua përmendi, janë “peng” i SPAK-ut. Akuzë e cila si zakonisht nuk është shoqeruar me asnjë provë.
“Si gazetar nuk mund të mos e vlerësoj këtë gjykim dhe të jem krenar që krahasohem për nga kapaciteti investigativ me një strukturë si SPAK, e cila konsiderohet nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian si një model drejtësie që përfundimisht është e pavarur dhe të aftë për të luftuar korrupsionin në Shqipëri”, komentoi Carlo Bollino i pyetur nga Shqiptarja.com. ”Më modestisht mund të saktësoj se një gazetar i ndershëm, siç e dëshmojnë profesioni im 42 vjeçar, nuk i ka mjetet e fuqishme investigative që ka SPAK dhe për këtë arsye puna e ime kufizohet në kërkimin e dokumenteve dhe leximin objektiv të tyre. Nëse Sali Berishës nuk i pëlqejnë këto dokumente, kjo është çështje tjetër. Padyshim që një dokument edhe mund të interpretohet gabimisht, prandaj si gazetar, pres vendimin e gjykatës”.
“Për sa i përket akuzave që më drejton vazhdimisht Berisha, familja e tij dhe një pjesë e partisë së tij – përfundon Carlo Bollino – ato tregojnë standardin e dyfishtë që kanë përdorur gjithmonë: ndërsa për akuzat e bëra nga SPAK familja Berisha kërkon më shumë dhe më shumë prova dhe dokumente, ai nuk e ndjen të nevojshme të tregojë asnjë provë për akuzat e bëra ndaj meje. Dmth, me të drejtë kërkojnë një proces të drejtë për veten, ndërsa me mua bëjnë një proces popullor të tipit enverist ku nuk pranoheshin arsyet e të akuzuarit as zëri i avokatit mbrojtës dhe “provat” ishin të gjitha false. Kjo është arsyeja pse unë bëra një kallzim penal me avokatin tim, duke menduar se sistemi i drejtësisë civile nuk është aq i shpejtë për t’i dhënë përgjigje të përshtatshme fushatës së shpifjeve rë pandërprera nga ana e tyre kundër meje për të më trembur e për të më mbyllur gojën”.