“Masterclass të diplomacisë”. Kështu e kanë cilësuar analistë dhe politikanë të huaj reagimin e Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë, pasi presidenti ukrainas Volodimyr Zelensky deklaroi në Beograd se Ukraina nuk e ka ndryshuar qëndrimin për mosnjohjen e Kosovës.
Në rrjetin social X, deklarata e Tiranës është ripublikuar dhe komentuar nga disa figura të njohura, të cilat kanë vlerësuar mënyrën se si u formulua qëndrimi i Shqipërisë edhe në rastin e idesë së Aleksandër Vuçiçit për ndryshimin e rrjedhës së lumit Ibër që ka shkaktuar një përplasje të fortë në rrjet mes Beogradit dhe Tiranës.
Në reagimin e saj pas vizitës së Zelensky-t në Beograd, Ministria e Jashtme theksoi të dielën se “çdo përpjekje për të vendosur një paralele ose për të krijuar një ekuacion midis Kosovës dhe çdo situate tjetër ndërkombëtare është e gabuar, oportuniste dhe thellësisht çorientuese”.
Mes atyre që e komentuan ishte Sossi Tatikyan, drejtoreshë e Qendrës së Jerevanit për Politikat e Jashtme, e cila shkroi në X: “Një masterclass i diplomacisë. Kështu mund të shprehet qëndrimi mbi një çështje të ndjeshme dhe të diskutueshme”.
Edhe analisti Volodymyr Tretyak ripublikoi deklaratën e Ministrisë së Jashtme, duke e cilësuar atë “një deklaratë tejet solide”. Sipas komenteve të publikuara në X, qasje të tilla janë të nevojshme për trajtimin e çështjeve të ndjeshme në rajon.
Reagimit të Shqipërisë i kushtoi vëmendje edhe deputetja britanike Alicia Kearns, e cila ripublikoi deklaratën e kryeministrit Rama në llogarinë e saj në X dhe shkroi: “Kjo është diplomaci”.










