Hetimet për Ilir Metën dhe Monika Kryemadhin nga Prokuroria e Posaçme po shkojnë drejt fundit. ABC News ka mësuar se hetuesit kanë përfunduar marrjen e dëshmive nga të gjithë personat, përfshirë dy ish bashkëshortët që janë në hetim për pastrim parash dhe mosdeklarim të pasurisë.
Eksperti i kriminalistikës, Ervin Karamuço thotë se brenda shtatorit mund të ketë veprime konkrete në lidhje me këtë çështje.
“Të gjithë kemi menduar se do të ketë masa konkrete, nëse do të ishin arrest apo masa. Masat u shtynë dhe janë lënë pas pushimeve. Brenda shtatorit do të kemi veprime konkrete për këtë çështje.
Nëse janë gjetur shkelje, së pari do të ketë sekuestro të pasurive dhe më pas mund të ketë masa shtrënguese me karakter personal“, tha Karamuço.
I pyetur nëse duhen ndërmarrë veprime nga drejtësia para zgjedhjeve, ai u shpreh:
“Nuk duhet të ketë veprime konkrete sepse ndikon në vullnetin e elektoratit. Në Amerikë është quajtur ndërhyrje në fushatë por nga ana tjetër, ka vende evropiane që thonë se nëse kemi diçka mund të arrestojmë në kuadër të veprimeve të zgjedhjeve po edhe për korrupsion gjatë fushatës elektorale.
Në Shqipëri, disa prej këtyre veprimeve u shtynë në kohë, pati pezullim të veprimeve se me të drejtë menduan se mund të ndiznin më shumë debatin midis partive politike.
Ne do të jemi në të njëjtat kushtet edhe vitin që vjen, ku pas shkurtit deri në maj nuk do të ketë veprime të bujshme sidomos të arresteve ndaj politikanëve por shtohet lista e tyre si majtas dhe djathtas, që edhe para kësaj periudhe do të ketë prapa hekurave. E them me bindje”.
Duke u ndalur te rasti i ndalimit të themeluesit të Telegram në Paris, eksperti tha se ka të dhëna se në këtë aplikacion kanë komunikuar edhe politikanë dhe figura të tjera të njohura shqiptare.
“Kemi një masë shtrënguese në Paris ndaj pronarit të Telegram. Ka të dhëna që shumë vite më para në këtë app me karta të huaja kanë komunikuar dhe politikanë shqiptarë, prokurorë, magjistratë, gjyqtarë.
Nëse hapen serverat e Telegram në Dubai, dhe do të dalin të njëjtat të dhëna si për Sky ECC dhe pas 5 viteve, ne do të kemi një tjetër valë të madhe përgjimesh në Shqipëri”, shtoi Karamuço.