Report Tv siguron dosjen voluminoze me 500 faqe për aferën e korrupsionit me privatizimin e ish-kompleksit “Partizani”, me të pandehur Sali Berishën, dhëndrin Jamarbër Malltezi, dhe pronarët Fatmir Bektashi e Xhimi Begeja. Ndër të tjera në dosje përmendet se vërtetohet se Bektashi ka premtuar dhënien e një pjese të përfitimit që do të realizohej nga shitjet e objekteve që do të ndërtoheshin në territoret e 2 klubeve sportive “Partizani”.
Ky premtim bazohej në kërkesën e realizimit të kthimit të plotë të territoreve, privatizimin e objekteve në brendësi dhe ndryshimin e destinacionit të zonës sportive në zonë banimi. “I vetmi që kishte pushtetin e mjaftueshëm për të kontrolluar të gjithë sektorët ku mund të realizoheshin këto objektiva, ishte Sali Berisha”, thuhet në dosje dhe kontaktet për arritjen e këtij qëllimi, janë realizuar mes dhëndrit të tij Malltezi e Fatmir Bektashit.
Ka qenë pikërisht Berisha ai që ka marrë përsipër përmbushjen e kërkesave, duke pranuar shpërblimin që në vijim i kalonte familjes së vajzës së tij.
Me shkresën e 23 nëntorit 2022 drejtuar Studio Pustinës, Xhimi Begeja i pakënaqur kur janë ndarë përfitimet, është shprehur se i kishte besuar verbërisht Argita e Jamarbër Malltezit.
Malltezi nëpërmjet një sërë transaksionesh, të fshehta dhe kamufluese, i ka treguar që në fillimet e veta Fatmir Bektashit dhe trashëgimtarëve të familjeve pronare, se që të arriheshin objektivat duhet të vendosnin në dispozicion 3-5% të pasurisë së tyre, dhe kjo pasqyrohet edhe në prokurat e lëshuara nga ata.
Por në vijim, pasur parasysh madhësinë e sipërmarrjes së synuar, kontraktimin e shoqërisë Kontakt për zhvillimin e të gjithë trojeve (përveç një pjese ku rezulton shoqëria Eralb sh.p.k.), ka qenë Fatmir Bektashi, i interesuar për arritjen e të gjitha objektivave, duke marrë përsipër dhe duke e theksuar thuajse në të gjitha aktet që nënshkruan, kryerjen e shpenzimeve dhe siç rezulton nga hetimi edhe dhënien e përfitimeve.
Bektashi do të jepte përfitimin e paligjshëm por që të realizonte këtë gjë, duhet të kishte pronat jo vetëm të tijat, por të të 5 familjeve të njohura pronare. Për familjen Begeja, për vënien e tokës në dispozicion për zhvillimin e ndërtimit, garantues ishte Malltezi, kurse për familjet e tjera pronare, Saliaga, Vaqarri e Alimehmeti, kontaktet me përfaqësuesit e tyre mbahen nga Fatmir Bektashi.
‘Nga tërësia e të dhënave të administruara deri në këtë moment, ashtu si paraqitet e shkruar nëpër akte, duke i lexuar ato në përputhje me njëra tjetrën dhe ballafaquar me ngjarjet reale që kanë ndodhur, vërtetohet tej çdo dyshimi të arsyeshëm se shtetasi Fatmir Bektashi ka premtuar dhënien e një pjese të përfitimit që do të realizohej nga shitjet e objekteve që do të ndërtoheshin në dy territoret e klubit sportiv Partizani.
Dhënia e këtij premtimi, mbështetej në kërkesën e realizimit të kthimit të plotë të territoreve, privatizimin e objekteve të ndodhura në të, ndryshimin e destinacionit të zonës sportive në zonë banimi, që do të sillte një zhvillim ndërtimi të konsiderueshëm dhe në këtë mënyrë fitim të madh. I vetmi që kishte pushtetin e mjaftueshëm për të kontrolluar të gjithë sektorët ku mund të realizoheshin këto objektiva, ishte shtetasi Sali Berisha. Kontaktet për arritjen e këtij qëllimi, dokumentohen të jenë realizuar mes dhëndrit të këtij të fundit, shtetasit Jamarbër Malltezi dhe shtetasit Fatmir Bektashi.
Shtetasi Sali Berisha, nga leximi në tërësi i provave të administruara përgjatë gjykimit, rezulton të ketë marrë përsipër përmbushjen e kërkesave, duke pranuar shpërblimin/mitën që në vijim kalon në bashkësinë ligjore të familjes së vajzës së tij, shtetases Argita Malltezi nëpërmjet shtetasit Jamarbër Malltezi.
Me shkresën e dt. 23.11.2022 drejtuar Studio Pustinës, shtetasi Xhimi Begeja i pakënaqur kur janë ndarë përfitimet është shprehur: ” … Ju besova verbërisht sepse Gita dhe Abi më garantuan qysh nga dita e parë ku studio e juaj të jetë garantuesja e ligjore dhe financiare në marrëveshjet e kontratat tona.
Nuk kam qenë pengesë në asnjë moment të firmosja vetëm “letër të bardhë” sepse e konsideroja veten turp nëse nuk do ju besoja. Kam përshtypjen se ajo Gocë e Familjes nuk ka pas dhe as ka dijeni për situatën e krijuar tani mes nesh. Unë nuk e kam shqetësuar dhe nuk do e shqetësoj kurrë për hallin e madh që ka zënë, për aq më tepër ne si familje i kemi borxh të madh Familjes Berisha për shqetësimet që i kemi sjellë ku shkaktare është prona jonë…”(shtetasi Xhimi Begeja në këtë letër fjalët “Gocë e Familjes” dhe “Familja Berisha” i shkruan me shkronja të mëdha duke treguar konceptimin që ka ai për pushtetin e familjes Berisha).’- thuhet në dosje. (Shqiptarja.com)