Ish-zëvendëskryeministri i Maqedonisë së Veriut, Artan Grubi, në një intervistë me Skype në Çështja e ditës në News 24 ka komentuar fshirjen e fjalëve shqip në tabelat rrugore në komunat e banuara me shqiptarë në RMV.
Grubi tha se VMRO DPMNE po sillet si pronar i shtetit, ndërsa VLEN si vasale. Sipas tij, kjo ndodh, pasi koalicioni VLEN ka hyrë në qeveri duke qenë pakicë dhe ndaj sillet e nënshtruar.
Artan Grubi, ish-zëvendëskryeministër në Maqedoninë e Veriut: VMRO-DPMNE po vepron njësoj si Millosheviçi. VLEN hyri në zgjedhje si humbëse e zgjedhjeve ndër shqiptarët. Është koalicion vasal. VLEN nuk vuri asnjë kusht, vetëm për të pasur pushtet. Flamuri shqiptar është larguar në zyrat e zyrtarëve shqiptarë. Koalicioni VLEN ka marrë 75 përqind më pak pozita sesa ne. Presidentja e shtetit largoi shqipen nga ueb-faqja e saj.
Tabelat në hyrje të komunave kanë qenë në shumë gjuhë dhe shqipja u largua. Flasim për tabela për të shkuar në Shqipëri e në Kosovë, ku shqiptarët lëvizin masivisht. Ata të VLEN nuk kanë takat të bëjnë diçka, pasi kanë pranuar të bëjnë rolin e vasalit dhe VMRO sillet si pronar. Po diskutohet ligji i gjuhës shqipe, që të cënohet shqipja në institucione. Shqiptarët po diskriminohen masivisht.