11 kandidatët e mbetur në garë, për drejtorin e ri të Policisë së Shtetit, do të intervistohen sot përpara Komisionit të Posaçëm, ndërsa të premten, ministri i brendshëm pritet që t’i dërgojë kryeministrit Edi Rama, emrin e pasuesit të Muhamet Rrumbullakët.
11 kandidatët do të intervistohen sot në bazë të rendit alfabetik, ndërsa Komisioni i Posaçëm përbëhet nga sekretarja e Ministrisë së Brendshme Suzana Hoxha, zëvendësministri Besfort Lamallari dhe drejtori i Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore, Florian Sulejmani.
3 përfaqësuesit e Komisionit do të dëgjojnë platformën e 11 kandidatëve, dhe më pas do të bëjnë një renditje të tyre.
Lista përfundimtare do t’i dërgohet Ministrit të Brendshëm, Ervin Hoxha, dhe ky i fundit më pas do t’ia dërgojë kryeministrit. Gara për drejtuesin e ri të policisë së shtetit, është duke u ndjekur dhe nga ndërkombëtarët, të cilët kanë rol monitorues.
Kandidatët në garë:
1-Adriatik Tafçiu
2-Altin Mena
3-Ardian Çipa
4-Gentjan Shehaj
5-Idajet Faskaj
6-Ilir Proda
7-Lutfi Minxhozi
8-Neritan Nallbati
9-Pëllumb Seferi
10-Rebani Jaupi
11-Skënder Hitaj
Kandidatet e skualifikuar:
1-Shemsi Premci
2-Ibrahim Disha
3-Hajrulla Xhivini
4-Sami Rasha
Pak ditë më parë, teksa raportonte në Komisionin për Sigurinë Kombëtare, ministri Hoxha, u akuzua nga deputetët e opozitës, se konkursi ishte një farsë, dhe se emri i drejtorit të ri është paracaktuar. Një prej emrave që është përfolur më së shumti, për zëvendësimin e Rrumbullakut në krye të Policisë së Shtetit, është Altin Mena, i cili aktualisht mban postin e zv.drejtorit të policisë së Lezhës.