Komandanti i KFOR dhe diplomatët e vendeve që kanë ushtarë në Kosovë mblidhen në Film City, arsye situata e sigurisë.
Gjeneralmajor Özkan Ulutaş, komandanti i misionit të KFOR-it të udhëhequr nga NATO, i ka pritur sot në Shtabin e KFOR-it në kampin Film City, ambasadorët dhe shefat e misioneve nga 28 vendet aleate dhe partnere që kontribuojnë me trupa në KFOR.
“Diskutimi u fokusua në një sërë temash, duke përfshirë situatën e sigurisë, aktivitetet aktuale të KFOR-it dhe bashkëpunimin e KFOR-it me komunitetin më të gjerë ndërkombëtar”, thuhet në një komunikatë të lëshuar nga KFOR-i.
Ky takim është një tjetër demonstrim i prekshëm i përkushtimit tonë kolektiv dhe të palëkundur drejt sigurisë së qëndrueshme për të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovë dhe stabilitetit rajonal”, tha komandanti i KFOR-it, Ulutaş.
KFOR-i thekson si zakonisht se vazhdon ta përmbushë mandatin e tij për të kontribuar për “një mjedis të sigurt për të gjithë njerëzit dhe komunitetet që jetojnë në Kosovë” dhe lirinë e lëvizjes “në çdo kohë dhe në mënyrë të paanshme”.