Kuvendi i Shqipërisë mblidhet sot në seancë plenare, ku në rendin e ditës është interpelanca urgjente me kryeministrin Edi Rama, kërkuar nga deputeti Gazment Bardhi, si dhe interpelanca urgjente me Zëvendëskryeministren dhe Ministren e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, kërkuar nga një grup deputetësh të Partisë Demokratike.
Gjithashtu në seancën e sotme do të merret në shqyrtim projektvendimi “Për dërgimin në Gjykatën Kushtetuese të mocionit të 1/10 së deputetëve për papajtueshmërinë e mandatit të deputetes Olta Xhaçka.
Në seancë pritet të diskutohet dhe akti normativ ”Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin “Për urdhrin e mjekëve në Republikën e Shqipërisë” si dhe akti normativ ”Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin “Për buxhetin e vitit 2024””, të ndryshuar.
Pjesë e seancës janë edhe diskutimi i disa projektligjeve si ai “Për ratifikimin e marrëveshjes së huas, ndërmjet Republikës së Shqipërisë (huamarrësi) dhe Agjencisë Franceze për Zhvillim (huadhënësi), për financimin e projektit “Një hua për politika publike për të mbështetur aftësinë përtëritëse dhe zhvillimin e gjelbër të Shqipërisë””; projektligji “Për ratifikimin e letrës së pjesëmarrjes së Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë në memorandumin e mirëkuptimit për Qendrën Evropiane të Ekselencës kundër Kërcënimeve Hibride””; Projektligj “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin “Për peshkimin”, të ndryshuar etj.