Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu ka prezantuar sot në Komisionin për Punën, Çështjet Sociale dhe Shëndetësinë, Aktin Normativ për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin për “Urdhërin e Mjekëve në Republikën e Shqipërisë”.
Ministrja Koçiu tha se amendimet në ligjin për “Urdhërin e Mjekëve në Republikën e Shqipërisë”, kanë si qëllim kryesor dhe parësor “shmangien e konfliktit të interesit të mjekëve, mes shërbimit shëndetësor që ata ofrojnë në sistemin publik me atë në sistemin jo publik.
Në këtë kuadër u ndalohet drejtuesve të spitaleve publike të jenë drejtues të klinikave shëndetësore jo publike.
Ajo nënvizoi se këto ndryshime do të sigurojnë shërbim edhe më cilësor ndaj qytetarëve, por mbi të gjitha dhe një imazh më të pa cënuar për mjekët tanë.
“Këto amendime synojnë vendosjen e rregullave për dypunësimin e mjekëve duke përcaktuar një balancë të domosdoshme dhe të drejtë, mes punës në sistemin publik dhe atë jo publik, pas cënuar asnjë të drejtë që kanë mjekët për dypunësimin e tyre.
Kjo është bërë për të siguruar që prioriteti i tyre të mbetet tek shërbimet publike dhe për të përmirësuar cilësinë e këtyre shërbimeve, pa i dëmtuar pacientët që kanë nevojë për trajtim në strukturat publike. Do të miratohet gjithashtu nëpërmjet mendimeve që kemi parashikuar edhe Kodi i ri i Etikës dhe Deontologjisë Mjekësore me qëllim monitorimin e plotë të rasteve abuzive dhe shkeljeve të disiplinës dhe etikës profesionale.
Duke forcuar masat disiplinore deri edhe duke parashikuar masa si pezullimi dhe heqja e licencës së ushtrimit të profesionit të mjekut. Nga ana tjetër kemi garantuar respektimin e procedurave të ankimimit administrativ dhe gjyqësor, duke siguruar drejtësi dhe transparencë në shqyrtimin e ankesave. Nëpërmjet këtyre amendimeve synojmë të rrisim transparencën dhe llogaridhënien duke krijuar edhe një regjistër publik elektronik për mjekët që ushtrojnë profesionin në institucione jopublike”, deklaroi ministrja Koçiu.
Ajo vuri në dukje se amendimet e propozuara, janë në përshtatje me praktikat më të mira ndërkombëtare, si të vendeve fqinje, ashtu edhe të vendeve më të zhvilluara.
Sipas saj, në ligjet e vendeve tona fqinje të rajonit si Bosnje-Hercegovina dhe Serbia, apo të Europës, si Franca e Italia, Anglia, Kanadaja dhe SHBA-të, ka kufizime e rregullime të qarta lidhur me dypunësimin e mjekëve.
Gjithashtu, ministrja Koçiu shtoi se “për të pasur një pasqyrë sa më të plotë të funksionimit të deritanishëm të ligjit të Urdhrit të Mjekëve”, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale mori edhe të dhëna nga “Urdhëri i Mjekëve” në lidhje me masat disiplinore dhe me llojin e tyre ku rezultoi se për një periudhë 18 vjeçare numri i procedimeve ka pasur një mesatare shumë të ulët, dhe akoma më e ulët ka qenë dhënia e masave disiplinore”.