Ditën e nesërme, Partia Socialiste do të mbledh Asamblenë Kombëtare në qytetin e Durrësit në ora 11:00. Asambleja e re e PS-së u zgjodh nga votat e delegatëve të Kongresit të PS në 28 korrik të këtij viti.

Kjo asamble ka rreth 350 anëtarë, nga të cilët Kongresi i korrikut zgjodhi vetëm 156 prej tyre, pasi pjesa tjetër zgjidhen automatikisht për shkak të funksioneve drejtuese që kanë. Kjo asamble pritet të zgjedh Kryesinë e re të Partisë Socialiste dhe Sekretariatin e PS.

Tashmë jemi në një vit zgjedhor dhe partia që ka mazhorancën në parlament ka filluar të ndez motorët e cila do i paraprijë fushatës zgjedhore.

Në faqen zyrtare të Partisë Socialiste është publikuar agjenda e Asamblesë e cila zhvillon punimet ditën e nesërme:

PARTIA SOCIALISTE E SHQIPËRISË
SEKRETARI I PËRGJITHSHËM

N J O F T I M

Mbështetur në Statutin e PS, neni 37, pika 5, ju njoftojmë se më datën 08.09.2024, ora 11.00, në sallën e Hotel FAFA Durrës, zhvillohet mbledhja e Asamblesë Kombëtare të PS me rend dite:

1. Hapja e mbledhjes dhe miratimi i Rendit të ditës.

2. Fjala e Kryetarit të Partisë Socialiste, Edi Rama.

3. Zgjedhja e organeve drejtuese të PS.

4. Të ndryshme.

SEKRETARI I PËRGJITHSHËM I PS

Blendi KLOSI.