Kaluan tri ditë tashmë nga dorëzimi i 500 faqeve akuza që SPAK i dorëzoi në dorë Sali Berishës dhe dhëndrit të tij Abi, por në media, shumë prej të cilave të financuara dhe sponsorizuara nga klani Berisha, nuk ka asnjë gjurmë. Ose më saktë, të paktat faqe, 4 apo 5 gjithsej, nga 500, janë bërë të ditura me pikatore nga dhëndri ose Argita. Çfarë po ndodh me familjen e Dosjeve dhe të Akuzave të mëdha për gjithë kundërshtarët e tyre? Ata që krenohen me publikimin në Bild të dosjes 339, ata që krenohen me përgjimet e të gjithë bandave kriminale, mbajnë shtërnguar në sirtar dosjen me 500 faqe që drejtësia ka bërë ndaj tyre. Ata që lexojnë edhe në parlament përgjime për të tjerët, për vete heshtin, fshehin?
Ata që bërtisnin që SPAK s’ka prova, përse nuk bëjnë transparencë dhe t’ia japin shqiptarëve të gjykojnë nëse aty, në 500 faqe prokurorët e SPAK kanë gjetur prova apo jo? Pse tremben? Pse e ruajnë në sëndyqet e errëta të shtëpive, fondacioneve, pallateve, kullave, vilave, transfertave bankare, sponsorizimeve politike e të tjera e të tjera?
Është e paprecedentë në Shqipëri, që individë që e konsiderojnë veten të pafajshëm, të mos dorëzojnë në media atë që ata e konsiderojnë skandaloze duke bërë akuza tepër të rënda e të përditshme për prokurorët e SPAK. Dosja me 500 faqe duhet të lexohet nga të gjithë! Nëse atje brenda s’ka prova, siç pretendon familja Berisha, ta nxjerrin në media të plotë. (Shqiptarja.com)