“Ministrat dhe drejtuesit e institucioneve të varësisë janë mbledhur në Dajt, në takimin informal të thërritur nga Kryeministri Edi Rama. Kjo mbledhje ka në fokus analizën vjetore të punës së kabinetit qeveritar si dhe objektivat e reja që do të merren nga vetë kreu i qeverisë. Mbledhja është e ndarë në disa blloqe, atë ekonomik social dhe integrimin.”
Mbledhja nisi prej orës 10:00 ndërsa janë folur disa çështje kryesore si rëndësia e komunikimit në rrjetet sociale, çështjet sociale, siguria dhe integrimi.
I pari që nisi raportimin përpara Kryeministrit ishte Këshilltari i tij për mediat, Endri Fuga, i cili theksoi rëndësinë që kanë postimit e ministrave dhe deputetëve në rrjetet sociale.
Më pas vijuan raportimet për tematike sociale, sigurinë, si edhe u dëgjuan raportimet për ecurinë integrimit.
Ndër ministrat që raportuan ishin Ministrja e turizmit Mirela Kumbaro, i drejtësisë Ulsi Manja, e arsimit Ogerta Manastirliu si dhe numri dy i qeverisë Belinda Balluku.
Sa i përket planit të zhvillimit të Ballkanit Perëndimor, fjala iu dha kryenegociatores Majlinda Dhuka, ndërsa mësohet se qeveria synon që Athina të mos bëhet pengesë për hapjen e kapitullit të parë të negociatave dhe po punon që në shtator të njoftohet data për uljen në konferencën e dytë ndërqeveritare.
Ndërkohë në takim është kreu i Grupit Parlamentar të PS Niko Peleshi dhe kryeparlamentarja Elisa Spiropali.
Sipas burimeve, ky takim gjithashtu do t’i shërbejë kryeministrit Edi Rama si indicie edhe për zgjedhjet e 2025-ës dhe për punën që duhet kryer në terren.
Sa i përket këtij procesi, të dielën e ardhshme pritet të mblidhet dhe asambleja e Partisë Socialiste, në të cilën Rama do të japë jo vetëm objektivat për anëtarët e saj por mund të bëhen dhe ndryshime tek drejtuesit e qarqeve.