Shqipëria është vendi i dytë në botë për rritjen e numrit të turistëve të huaj në shtatë muajit e parë të këtij viti.
Agjencia ndërkombëtare, Travel and Tour World, shkruan se në shtatë muajt e parë të vitit 2024, peizazhi ndërkombëtar i turizmit dëshmoi një rritje mbresëlënëse të vizitorëve në disa vende, duke shfaqur jo vetëm një rimëkëmbje, por në disa raste, një performancë të konsiderueshme krahasuar me nivelet para pandemisë.
Midis vendeve me arritje të larta janë Katari, me një rritje prej 147 %, dhe Shqipëria e cila renditet e dyta me rritje 93%, dhe më pas janë, El Salvadori, Arabia Saudite, Republika e Moldavisë dhe Tanzania. Secili prej këtyre destinacioneve ka pësuar rritje në mënyrë unike në botën pas pandemisë, duke zbatuar strategji që kanë tërhequr udhëtarët në numra që tejkalojnë statistikat e tyre të parapandemisë.
Sipas Barometrit Botëror të Organizatës Botërore të Turizmit të Kombeve të Bashkuara afërsisht 790 milionë aventurierë kaluan kufijtë ndërkombëtarë nga Janari deri në Korrik, duke sjellë një rritje me 96% të udhëtimeve ndërkombëtare.
Agjencia Travel and tour World, shkruan se Shqipëria, me një rritje prej 93% të hyrjeve, është shfaqur si një pikë e nxehtë mesdhetare. Historia e pasur e vendit, vijat bregdetare mahnitëse dhe kostot relativisht të ulëta kanë tërhequr turistët që kërkojnë destinacione të reja dhe të përballueshme.
Qeveria e Shqipërisë ka bërë përpjekje të konsiderueshme për të promovuar sektorin e saj të turizmit përmes panaireve ndërkombëtare të turizmit dhe fushatave të marketingut dixhital.
Zhvillimi i praktikave të turizmit të qëndrueshëm dhe përmirësimet në infrastrukturë kanë luajtur gjithashtu një rol vendimtar në rritje. Sipas të dhënave zyrtare për periudhën janar- gusht në Shqipëri kanë hyrë 8.5 milionë turistë duke tejkalur shifrën totale të turistëve të vitit 2023, që ishin 7.5 milionë turistë.