Mjeshtri i madh Robert Radoja ka ndikuar në fatin e atletes Klodeta Gjini, përmes një “jo”-së së tij, të dhënë në provën për t’u futur në botën e muzikës. E ftuar në Shqip nga Rudina Xhunga në Dritare TV, rekordmenia në atletikë tregon se tashmë që ka një bum të kurseve sportive për fëmijë, mësuesit duhet të jenë të kujdesshëm për të dalluar dhe nxitur talentet e reja, por edhe për t’i thënë “jo” atyre fëmijëve që nuk shfaqin dhunti për sportin. Duke i lënë në stol, thotë zonja Gjini, mësuesit mund të jenë duke i mbyllur një tjetër derë fëmijëve që kanë një tjetër talent, që nuk është sporti.

“Në fëmijëri isha shumë e dhënë pas artit. Sidomos pas baletit klasik. Por familja nuk kishte të njëjtën dëshirë për mua, ndaj nuk më regjistruan në një shkollë baleti. Në fakt edhe kushtet nuk ishin shumë të përshtatshme për ne. Në vitet ‘70 ishte shumë e zhvilluar frekuentimi i Qendrës Kulturore të Fëmijëve, dikur Pallati i Pionierëve. Me një mikeshë time, e cila edhe ajo më vonë u bë atlete, shkojmë në Pallatin e Pionierëve për të marrë pjesë në klasat e violinës. Mjeshtri Robert Radoja bëri provën, na kërkoi të këndoja por vuri re se unë nuk kisha as vesh dhe as zë për muzikë, ndaj nuk na përzgjodhi për të vazhduar.

Kështu bëhej përzgjedhja e talenteve. Me një trup të gjatë e të hollë që kur ishte vetëm 9 vjeçe, në kampionatin me moshat e vogla që zhvillohej në “Qemal Stafa”, kërcen lartësinë 1 metër, duke tërhequr vëmendjen e profesionistëve.

Sot unë e kuptoj që në kurset që organizohen nga shoqëri private, shpesh mungon korrektesa profesionale për të bërë të qartë se deri ku mund të arrijë një fëmijë që merr pjesë në kurse të caktuara.

Kush është profesionist arrin të dallojë talentin dhe kapacitetin e një fëmije dhe është korrekte që familjes t’u thuhet nëse fëmijës një aktivitet sportiv i shërben si një formë argëtimi, një mbushje kohe e dobishme apo për të marrë një kulturë sportive apo sepse është i talentuar.

Në rast se prindërit janë të interesuar që fëmija e tij jo vetëm të zhvillojë talentin në një kurs sportiv por në të ardhmen edhe të jetë profesionist për atë që është trajnuar, mësuesit duhet të jenë profesionistë për të thënë nëse fëmija vlen ose jo. Me fëmijët dhe prindërit, me talentet dhe ambiciet e tyre, mësuesit duhet të kenë një korrektesë profesionale, pasi përcaktojnë fatin e tyre”, u shpreh Gjini në Dritare TV.