Këshilli i Ministrave miratoi këtë të enjte Skemën Kombëtare të Investimeve në Ferma, e cila synon të mbështesë aktivitetin bujqësor të fermerëve dhe blegtorëve, si edhe peshkimin përmes akuakulturës.
Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural Anila Denaj tha në një komunikim për mediat, pas mbledhjes së qeverisë se përmes Skemës Kombëtare të Investimeve në Ferma, qeveria financon 50% të investimit grant në serra, blegtori e peshkim.
“Fermerët dhe subjektet përfitues të Skemës Kombëtare me 50% të investimit grant, do të jenë në fushën e serrave që sot kanë rritur sipërfaqet në 2 200 ha tokë, nga 1 mijë ha që ishte para 5 vitesh dhe kjo mbështetje do të rrisë investimet në këtë sektor me 250 ha sipërfaqe serra në vit, duke siguruar një produkt cilësor në zinxhirin ushqimor dhe eksporte në 83 tregje elitare”, tha ajo.
Fjala e plotë:
Sapo kemi miratuar në Këshillin e Ministrave Skemën Kombëtare të Investimeve në ferma, një instrument i i ideuar për të rritur, fuqizuar dhe modernizuar aktivitetin bujqësor të fermerëve, blegtorëve dhe mbi të gjitha sektorin e peshkimit nëpërmjet akuakulturës.
Si ministre e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural një angazhim shumë të rëndësishëm ka promovimi i kësaj skeme në ditët në vijim. Megjithatë, doja të jepja disa informacione paraprake cilët do të jenë përfituesit kryesorë të një Skeme Kombëtare me 50% të investimit grante.
Fokusi i parë, do të jetë për të gjithë të interesuarit që duan të zgjerojnë investimet në serra, të cilat sot kan, rritur sipërfaqen në hectare në gati 2200 ha nga 1000 ha që ishte para pesë vitesh dhe kjo Skemë Kombëtare ndihmon më shumë rritjen me mesatarisht sipas parashikimit nga 200 deri në 250 ha në vit për të sigurar një produkt cilësor në zinxhirin e ushqimit, jo vetëm për prodhimin vendas, por mbi të gjitha për tregun e synuar evropian, i cili sot në 80 tregje elitare na nderon dhe na siguron të ardhura në këtë sektor.
Shumë e rëndësishme është sektori i blegtorisë, i cili përgjatë gjithë këtij viti ka pasur një vëmendje të shtuar jo vetëm përmes Skemës Kombëtare të Subvencioneve ku të paktën gjysma e vlerës së skemës shkon për sektorin e blegtorisë në mënyrë që të ulen kostot e prodhimit në mënyrë të drejtëpërdrejtë, por nëpërmjet kësaj skeme të investimeve me 50 % grant do të mundësojmë rritjen e infrastrukturës së mbarështimit të kafshëve dhe shpresoj që të gjitha këto investime të jenë të fokusuara në standardet të cilësisë sipas atyre të Bashkimit Evropian e do t’i vij patjetër në ndihmë si ndërtimit të serrave gjithashtu edhe të stallave. VKM-ja 283 , e cila në muajin korrik siguroi mundësinë, që për të njëjtën investim për arsye të ndryshimit të distancave që siguruam në këtë ndryshim të VKM-së të rrisim prodhimin me të paktën 15-20%.
Shumë i rëndësishëm është sektori i akuakulturës. Dua të theksoj, që për këtë sektor ambicia e qeverisë shqiptare për të kapur tregje ndërkombëtare është në vitin 2030 me 30 000 ton peshk që vjen nga akuakultura. Sot ne jemi në 9 600 ton dhe sigurisht që për të zhvilluar këtë potencial të rritur në ujrat tona është e domosdoshme një mbështjetje nëpërmjet Skemës së Investimeve në grante, ku akuakultura do të ketë edhe kjo fokus në këtë skemë.
Mekanika bujqësore është e domosdoshme për të qënë në krahë të të gjithë inovacioneve, ndryshimeve, të cilat sot po përqafohen gjithnjë e më shumë nga fermerët e blegtorët tanë për të rritur mundësinë e prodhimit, rendimentit, por edhe mbi të gjitha për të ulur koston, e kështu për të qënë më konkurrues me produktet që ata prodhojnë.
Disa nga karakteristikat në vlerë do të duhet t’i listoj, megjithatë këto janë të përgjithshme, e do të më duhet siç e thash pak më parë në ditët e javët në vijim të kemi diskutime me të gjithë blegtorët e fermerët, të cilët do të informohen nga afër për këtë skemë.
Konkretisht, përsa i takon serrave djellore masa e përfitimit do të jetë jo më shumë se 15 milion lekë/ha për serrat e prodhimit të perimeve, 8 milionë lekë për ha për serrat e prodhimit të rrushit në tavolinë, 4 milionë lekë/ ha për serrat tunelet plastike të prodhimit të luleshtrydheve dhe masa e përfitimit në raport me një investim shumë të rëndësishëm që ne kemi shtuar këtë vit për fokusin e investimit në rrjetat për të mbrojtur pemët frutorë nga breshëri, i cili ka sjellë në 2-3 vitet e fundit dëme për të gjithë zonat, sidomos në pjesën lindore dhe jugore të vendit. Një masë e përfitimit, e cila do të jetë jo më shumë se 1.5 milion lekë/ ha do të shkojë për rrjetat antibreshër. E kështu, do të kemi mundësi të ruajmë produktin shqiptar dhe nga ndryshimet dhe kushtet klimatike që sot ballafaqohemi çdo ditë e më shumë.
Si do të funksionoj skema? Skema ka një buxhet, i cili për këtë vit fillon me 500 milion lekë, një buxhet i siguruar nga Akti Normativ i miratuar ditën e enjte në Parlamentin e Shqipërisë, por do të vijohet të paguhet edhe përgjatë vitit që vjen. Është e rëndësishme që me anonçimin e kësaj skeme në muajin tetor shpresojmë, që data 1 tetor të jetë data ku të gjithë aplikimet të merren në pikat tona agro nëpërmjet institucionet që do t’a menaxhoj këtë dhe do të jetë AZHBR. Do të vijojë përgjatë gjithë vitit të përfitohet një informacion për të marrë aplikime. Me marrjen e përfitimit të përgjigjes positive, nëse kushtet plotësohen mund të ketë një pagesë të menjëhershme përgjatë këtij viti në masën 30%. Është shumë e rëndësishme që të gjitha kushtet të cilat do të jenë të paraqitura në faqet tona të webit të ministrisë, të AZHBR-së dhe nëpërmjet një aplikimi i cili do të jetë vetem online të jetë përgjatë gjithë kohës në standardet e kërkuara sipas një VKM-je të aprovuar ditën e sotme.