Derbet e kryeqytetit në futboll cilësohen gati si rëndësia e ndeshjeve të Kombëtares kuqezi në nivelin e masave të sigurisë, për shkak të aktivitetit të ultrasve të të dy skuadrave, që shpesh kanë kaluar edhe në përleshje fizike.
Policia e Tiranës njoftoi sot se ka hartuar plan masash për garantimin e rendit dhe sigurisë para, gjatë dhe pas zhvillimit të ndeshjes së futbollit midis ekipeve Partizani dhe KF Tirana, që do të zhvillohet ditën e sotme, 21 Shtator, në orën 20:00, në stadiumin “Air Albania”.
Masat e marra nga Policia e Tiranës konsistojnë jo vetëm në ambientet e stadiumit, por dhe në një perimetër më të gjerë jashtë tij. Në këtë kuadër do të ketë bllokime të disa segmenteve rrugore dhe itinerare të përcaktuara për lëvizjen e tifozëve të dy skuadrave.
“Policia do të garantojë dhe do të sigurojë lëvizjen e tifozëve përgjatë rrugëkalimeve të caktuara dhe nuk do të lejojë grumbullim apo kalim të tifozëve, jashtë itinerarit të caktuar. Po në zbatim të planit të masave, do të ushtrohen kontrolle ndaj tifozëve, para hyrjes në stadium, për sende të kundërligjshme (sende të forta, bidonë uji, çadra, çelësa metalik apo lëndë piroteknike etj). Çdo tifoz duhet të jetë i pajisur me dokument identifikimi”, tha policia.
Nuk do të lejohen të futen në stadium shtetas pa dokument identifikimi, si dhe fëmijët nën moshën 16 vjeç, pa praninë e prindit apo kujdestarit (shoqëruar me dokument).
Kurse personat të cilët e kanë të ndaluar hyrjen në objektet dhe mjediset sportive, “detyrohen të paraqiten fizikisht në komisariatet policore përkatëse, në ditën dhe orën e zhvillimit të veprimtarisë sportive”, kurse “moszbatimi i detyrimeve që rrjedhin nga ky ligj, përbën shkelje të tij”.
Segmentet rrugore që do të jenë të bllokuara, nga ora 17:00 deri në përfundim të aktivitetit, janë:
-Rruga “Lek Dukagjini”, përreth stadiumit, rruga “Dervish Hima”, rruga “Gjergj Filipi”, rruga “Papa Gjon Pali II”, nga kryqëzimi me rrugën “Ismail Qemali” deri tek stadiumi “Air Albania”, bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nga Presidenca deri te sheshi “Nënë Tereza”.
Rrugëkalimet e tifozëve do të jenë si më poshtë:
-Lëvizja e tifozëve të Partizanit do të bëhet nga kryqëzimi i rrugës “Muhamet Gjollesha” me rrugën “Artan Lenja”, përgjatë rrugës “Muhamet Gjollesha”, rruga “Sulejman Delvina”, “Libri Universitar”, rruga “Gjergj Filipi”(COIN) – stadium;
-Lëvizja e tifozëve të KF Tiranës do të bëhet nga sheshi “Skënderbej”, bulevardi “Dëshmorët e Kombit, rruga “Bajram Curri”, Rruga e Elbasanit rruga “Dervish Shima”, rruga “Sheh Ahmet Paza”- stadium.