Kryetarja e Kuvendit Elisa Spiropali u ka bërë ftesë palëve për bashkëpunim. Gjatë fjalës së saj të parë në hapje të këtij sesioni parlamentar, Spiropali theksoi se reflektimi duhet të jetë i përbashkët nga të dyja palët. Spiropali po ashtu theksoi se sot Shqipëria është renditur krah aleatëve të saj strategjikë që janë SHBA-ja, BE-ja dhe NATO.
“Vendi im është mes të barabartëve me njëri-tjetrin, por kaq të ndryshëm. Në ballafaqimin e ardhshëm elektoral, secili nga ne do të shkojë me bilancet e veta politike. E pamundur të ndryshojmë të shkuarën tonë të përbashkët në këtë sallë. Pendesa për veprime dhe gjykime të gabuara vlen vetëm për të gjetur forcë për të korrigjuar çfarë mund të bëjmë ndryshe.
Reflektimi duhet të jetë i përbashkët mes nesh, një reflektim që përfshin edhe qortimin e së shkuarës, edhe projeksionet për të ardhmen. T’i mbrojmë deri në fund pikëpamjet dhe qëndrimet tona, por me etikë parlamentare, duke respektuar institucionin e Kuvendit të Shqipërisë dhe qytetarët që na kanë votuar e na ndjekin.
Debati dhe jo beteja, ndeshja e paprerë si të ndryshëm në ide, por të barabartë në të drejta, është rruga e vetme drejt të cilës ne do të detyrohemi të ecim. Jo pa keqardhje mendoj se më pak se çdo gjë ka ndryshuar mendësia e të bërit politikë, e cila shpesh, në thelbin e saj ka mbetur ende në llogoret e viteve 90-të. Të jemi bashkë në identifikimin e disa prioriteteve që do të duhet të realizojmë deri në fund të kësaj legjislature. Gjithëpërfshirja dhe garantimi i legjitimitetit demokratik në këtë proces, prioritet absolut për të gjithë, ku nuk ka vend për dallim mes të majtësh dhe të djathtësh. Kuvendi do të vijojë të mbështesë partneritetet strategjike të Shqipërisë me aleatët tanë të mëdhenj, SHBA, BE, NATO-n.
Do të vijojnë punën dy komisionet e posaçme, qëllimi i të cilëve është avancimi i reformave, në mënyrë që të mos ketë asnjë kthim mbrapa. Mbështetja dhe fuqizimi i institucioneve të pavarura dhe i pavarësisë së degëve të qeverisjes do të jetë, që ato të rrisin përgjegjshmërinë dhe transparencën para vendit dhe qytetarëve”, tha Spiropali.