Evropa Qendrore po përballet me stuhi dhe reshje të dendura shiu.
Një digë në Poloninë Jugperëndimore shpërtheu mbrëmjen e së shtunës, pas reshjeve të dendura, ndërsa ekipet e emergjencës në Poloni, Çeki dhe pjesë të Austrisë vazhdojnë të përballen me përmbytje të mëdha, të konsideruara historike, për shkak të reshjeve që nuk kanë të pushuar në të gjithë Evropën Qendrore.
Komuna e Silezisë së Poshtme, Bystrzyca Klodzka, në Poloni kanë bërë me dije se diga në Miedzygorze ishte tejmbushur, pavarësisht përpjekjeve për të larguar ujin dhe për të parandaluar përmbytjen.
Sipas mediave të huaja, autoriteti Rajonal i Menaxhimit të Ujit në Wrocłaë e quajti situatën ”kritike” duke nxitur evakuime nga fshatrat.
Reshjet ekstreme po bëhen më të mundshme në Evropë, si në pjesën më të madhe të botës, për shkak të ndryshimeve klimatike.
Një atmosferë më e ngrohtë mund të mbajë më shumë lagështi, gjë që mund të çojë në reshje më të mëdha shiu. Zona e Mikulovices, pranë kufirit polak, u përmbyt në mëngjesin e sotëm.
Në qytetin jugor të Ceske Budejovice, zjarrfikësit kanë ngritur barriera kundër përmbytjeve përgjatë lumenjve Malse dhe Vltava që nga mbrëmja e së premtes. Në Pragë, përgatitjet për përmbytjen e pritshme të Vltava ishin të plota, me barriera përmbytëse që u ngritën përgjatë brigjeve të lumit. Trafiku i transportit është pezulluar.
Sipas meteorologëve, nivelet e ujit në lumenjtë në Çeki pritet të rriten më tej gjatë fundjavës. Disa zona kanë parë nga 50 deri në 110 litra reshje për metër katror që nga e premtja.
Ndërkohë, në Austri, 42 komuna janë shpallur zona katastrofash pasi nivelet e përmbytjeve në vend vazhduan të rriteshin. Situata është veçanërisht e tensionuar përgjatë lumenjve Kamp dhe Kremps, të cilët derdhen në Danub. Stephan Pernkopf, zëvendësguvernator i Austrisë së Poshtme, tha se mbrojtja e rajonit nga përmbytjet, e forcuar pas përmbytjeve të rënda në 2002, ishin krijuar për t’i bërë ballë përmbytjeve që ndodhin statistikisht një herë në 100 vjet.
Megjithatë, me reshjet e dendura të shiut që pritet të vazhdojnë, meteorologët paralajmërojnë se situata mund të përkeqësohet. Ata thonë se Danubi mund të arrijë nivelet që shihen një herë në 30 vjet në rajonet Weinviertel dhe Mostviertel të Austrisë.
Të paktën pesë persona u vranë në Rumaninë Lindore të shtunën pasi vendi u godit nga shirat e dendur dhe përmbytjet.