Një nxënës 14-vjeçar vrau me armë zjarri dy gjimnazistë dhe dy mësues, ndërsa plagosi nëntë të tjerë në një shkollë të mesme në Xhorxhia të mërkurën, vetëm pak javë pas fillimit të vitit të ri shkollor, thanë autoritetet. I dyshuari për sulmin, i identifikuar si Colt Grey, 14 vjeç, ishte nxënës i shkollës së mesme “Apalachee” në qytetin Winder rreth një orë nga Atlanta dhe ndodhet në paraburgim. Ai do të gjykohet si i rritur, tha Chris Hosey, drejtor i Byrosë së Hetimit të Xhorxhias.
I dyshuari po fliste me hetuesit, por ata nuk pranuan të thonë nëse e dinin se çfarë e motivoi atë për sulmin. Ata gjithashtu nuk thanë se çfarë lloj arme është përdorur. Sherifi Jud Smith tha se organet e rendit reaguan me shpejtësi pas njoftimit për të shtëna rreth orës 10:20 të mëngjesit. Individi i armatosur u përball me një punonjës të rendit dhe u dorëzua menjëherë, tha zoti Smith.
Forcat e rendit e vunë situatën nën kontroll dhe nxënësit u lanë të lirë të largohen, tha një zëdhënës i shkollave të Qarkut Barrow. Televizioni ABC News citoi një dëshmitar, nxënësin Sergio Caldera, tek tha se ai ndodhej në orën e kimisë kur dëgjoi të shtëna armësh. Caldera, 17 vjeç, tha se mësuesja e tij kishte hapur derën, por një tjetër mësues që po vraponte i tha asaj ta mbyllte menjëherë pasi “një person me armë zjarri ndodhej në shkollë”.
Ndërsa nxënësit e mësuesit ndodheshin në klasë, dikush kishte trokitur në derë dhe kishte bërtitur disa herë, duke kërkuar që ta hapnin. Në momentin që nuk po dëgjoheshin më të trokitura, Caldera tha se dëgjoi të shtëna dhe britma. Ai tha se klasa e tij ishte evakuuar më vonë.
Shtëpia e Bardhë tha përmes një deklarate se Presidenti Joe Biden ishte informuar rreth ngjarjes dhe shtoi se administrata “do të vazhdojë të koordinohet me zyrtarët federalë, shtetërorë e lokalë, ndërsa vazhdon të marrë më shumë të dhëna”. Presidenti Biden u bëri thirrje republikanëve që të punojnë me demokratët për të miratuar ligje për kontrollin e armëve. Nënpresidentja Kamala Harris, kandidate e Partisë Demokratike për presidente, e quajti rastin një “tragjedi të pakuptimtë”.
“Duhet ta ndalojmë. Duhet t’i japim fund kësaj epidemie të dhunës me armë”, tha Harris në fillim të një aktiviteti të fushatës presidenciale në New Hampshire.
Ish-Presidenti Donald Trump, kandidati republikan për president, shkroi në rrjetet sociale se “Zemrat tona janë me viktimat dhe të dashurit e atyre që u prekën nga ngjarja tragjike në Winder të Xhorxhias. Jetë të pafajshme u rrëmbyen nga një përbindësh i sëmurë dhe i çmendur”.
Shtetet e Bashkuara kanë përjetuar qindra raste të sulmeve me armë zjarri nëpër shkolla dhe universitete gjatë dy dekadave të fundit. Rasti më i përgjakshëm u shënua në vitin 2007 në universitetin Virginia Tech, me mbi 30 të vdekur. Këto lloj vrasjesh kanë ndezur debate të ashpra mbi ligjet për armët dhe Amendamentin e Dytë të Kushtetutës, që garanton të drejtën “për të mbajtur armë”./ VOA