Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, e cila është zgjedhur në krye të këtij institucioni edhe për një mandat të ri pesëvjeçar, do t’i mbledhë udhëheqësit e vendeve të Ballkanit Perëndimor në një drekë pune në Bruksel, më 19 shtator.
Me këtë takim, ajo do që të dëshmojë se edhe në mandatin e ri, do t’i kushtojë kujdes të veçantë këtij rajoni dhe në përgjithësi procesit të zgjerimit të BE-së.
Megjithatë, qëllim kryesor i këtij takimi është diskutimi për “agjendat e reformave dhe rritjes”, të cilat gati të gjitha vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor i kanë dorëzuar në Komisionin Evropian, si parakusht për të pranuar pagesat e para nga Plani i Rritjes për Ballkanin Perëndimor, i miratuar nga BE-ja në maj të këtij viti.
Von der Leyen ka qenë personalisht e angazhuar në promovimin e këtij plani, ndërsa atë e ka mbështetur edhe Parlamenti Evropian dhe vendet anëtare në Këshillin e BE-së.
Sipas burimeve në BE, takimi i von der Leyenit me udhëheqësit e vendeve të Ballkanit Perëndimor do të jetë një rast i mirë për të parë se ku kanë arritur këto vende me përgatitjet e tyre për t’i realizuar qëllimet e këtij plani.
Secili vend është dashur ta përgatisë një agjendë reformash, të bazuar në rekomandimet paraprake të trupave të BE-së.
Këtë e kanë bërë tashmë pesë vende të rajonit, ndërsa Bosnje e Hercegovina është e vetmja, e cila, për shkaqe të brendshme politike, nuk e ka bërë ende.
Kosova, ndërkaq, ka qenë ndër vendet e para që e ka dorëzuar planin e saj në Komisionin Evropian.
Pritjet në BE kanë qenë që, në mes të shtatorit, Komisioni Evropian t’i miratonte këto agjenda të vendeve të rajonit. Pritej që kjo të ndodhte edhe para takimit të 19 shtatorit, por procesi është shtyrë për muajin tetor.
Si arsye jozyrtare përmendet fakti se Bosnje e Hercegovina nuk e ka dorëzuar ende planin e saj. Dhe, marrë parasysh se në këtë vend së shpejti do të zhvillohen edhe zgjedhjet lokale, këtë nuk pritet ta bëjë deri në tetor.
Këto vonesa mund të ndikojnë, pastaj, që të mos realizohet qëllimi i Presidencës hungareze të BE-së, që pagesat e para për vendet më të avancuara, të bëhen para fundit të këtij viti.
Sipas një përllogaritjeje jozyrtare, Kosova do të mund të përfitojë mbi 880 milionë euro nga Plani i Rritjes. Mbi 250 milionë, Kosovës do t’i ndahen si para pa kthim, ndërsa pjesa tjetër në formën e kredive të volitshme.
Llogaritja për shumën financiare që do t’i takojë secilit vend, është bërë në bazë të Bruto Prodhimit Vendor (GDP), numrit të banorëve dhe disa kritereve të tjera.
Por, gjatë prezantimit të këtij plani, vendeve të rajonit u është thënë qartë se nëse nuk i kryejnë reformat pas një apo dy vjetësh, atëherë shuma do t’u shpërndahet vendeve tjera.
Përmes Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor, Bashkimi Evropian planifikon të ndajë rreth 6 miliardë euro për vendet e këtij rajoni në periudhën prej vitit 2024 deri në vitin 2027.
Prej kësaj shume, dy miliardë do të jenë grante nga BE-ja pa kthim, ndërsa pjesa tjetër në formën e kredive të favorshme.
Qëllimi është që të ndihmohet rritja ekonomike dhe, në këtë mënyrë, të përshpejtohet edhe procesi i integrimit evropian të këtij rajoni.
Përfituese të këtyre mjeteve janë të gjitha vendet e rajonit: Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, Bosnje e Hercegovina dhe Serbia.
Plani ka po ashtu qëllim të nxisë bashkëpunimin rajonal dhe zhvillimin e tregut të përbashkët në rajon, i cili gradualisht do të integrohej në tregun e përbashkët të Bashkimit Evropian.
Ky plan, sipas zyrtarëve të BE-së, nuk e ka në asnjë mënyrë qëllim që të krijojë një alternativë të zgjerimit të BE-së, por ta bëjë anëtarësimin e këtyre vendeve në BE më të lehtë.
Në BE vazhdojnë të rikujtojnë se për shfrytëzimin e mjeteve financiare nga Plani i Rritjes, vendet e rajonit duhet t’i përmbushin disa kushte, prej të cilave ato kryesoret kanë të bëjnë me sundimin e ligjit dhe sigurimin e procedurave për kontrollin financiar sipas standardeve evropiane.
Për Kosovën dhe Serbinë, si kusht specifik përmendet edhe përparimi në rrugën drejt normalizimit të raporteve – gjë që përfshin angazhimin e tyre konstruktiv në zbatimin e të gjitha marrëveshjeve të arritura në dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.
Nëse nuk do të ketë përparim në normalizimin e raporteve, sipas diplomatëve në BE, vendet që do të identifikohen si jokonstruktive, do të mund të kenë pasoja edhe përmes bllokimit të pagesave nga Plani i Rritjes.
Kosova, aktualisht, është nën disa masa ndëshkuese të BE-së – për shkak të tensioneve në pjesën veriore, të banuar me shumicë serbe – të cilat përfshijnë ndaljen e pagesave nga Instrumentet e Para- Anëtarësimit të BE-së (IPA).
Plani i Rritjes është i veçantë dhe nuk është i përfshirë në IPA.
Plani i Rritjes për Ballkanin Perëndimor, si paketë prej 6 miliardë eurosh, është konsideruar si plani më ambicioz i saj për këtë rajon.
Shuma prej afro 900 milionë eurosh për Kosovën do të jetë, po ashtu, shuma më e madhe që ajo përfiton nga BE-ja në një paketë të veçantë./REL