Mbrëmjen e djeshme janë zhvilluar disa prej ndeshjeve të javës së dytë të Ligës amatore “Sunday League Albania” të vlefshme për sezonin 2024 – 2025.
Në grupin A ka spikatur dueli i zhvilluar mes “FC Barrikada – “CCBS” i cili u mbyll me shifrat 2 – 2.
Sfida startoi jo në mënyrën e duhur për “Barrikadën” teksa është gjendur në disavantazh pas një penalltie të kthyer në gol nga lojtari me numrin 14.
Megjithatë djemtë e drejtuar nga trajneri Denis Mullarai kanë arritur të përmbysin gjithçka.
Fillimisht pas një gabimi në mesfushë të lojtarëve kundërshtarë, topi shkon te sulmuesi Tepshi i cili pasi driblon mbrojtësin me numër 5 lëshon të majtën dhe me portierin e shtrirë përtokë gjen rrugën e rrjetës duke barazhuar shifrat në 1 – 1. Ish – sulmuesi i Teutës tregon edhe njëherë se nuk ka humbur cilësinë dhe nuhatjen për gol.
Pas një loje të rrjedhshme “FC Barrikada” gjen edhe golin e avantazhit. Një top i harkuar në zonë nga Nasiel Maze gjen mbrojtësin e krahut të majte Lorenc Sallufi i cili me një goditje të bukur me kokë çon shifrat në 2-1.
Teksa ndeshja po shkonte drejt fundit dhe Barrikada drejt fitores një mosmarrëveshje e mbrojtësve dhe rrëmuje në zonë CCBS gjen golin e barazimit.
Është minuta e fundit dhe nuk ka më kohë, arbitri vërshëllen fundin e takimit dhe Barrikadës e CCBS i mbetet të ndajnë nga një pikë.