Juristja Brizida Gjikondi thotë se audiopërgjimi lidhur me vrasjet në protestën e 21 Janarit, do të shërbejë si një pikë kthese në hetimin e kësaj çështjeje.
Në një intervistë për “Tirana Live” në ABC News, Gjikondi u shpreh se ish kryeministri Sali Berisha, ka arsye që të shqetësohet dhe shtoi se retorika e tij, është bërë agresive lidhur edhe me hetimin e 21 Janarit.
“Prej një viti, familja e të ndjerit Aleks Nika kishte folur për këtë provë të fortë. Prisnin që t’ia dorëzonin vetëm SPAK. Ata nuk kishin besim te Prokuroria e Tiranës, nga e cila ishin zvarritur hetimet prej vitesh.
Ky regjistrim do bëjë kthesë të rëndësishme. Të mos ishte Gjykata e Strasburgut, nuk do kishim të mundur hetimin nga SPAK për 21 Janarin. Berisha ka shumë arsye për të qenë i shqetësuar.
Këtë ka thënë edhe vendimi i Strasburgut, asnjë cënim i godinave, nuk mund të justufukojë vrasjen e personave. Vrasjet janë bërë pas përfundimit të protestës. Zinxhiri urdhërues ka qenë politik.
Besoj se do kemi zhvillime. Jam e bindur se do kemi zhvillime. Për sa kohë SPAK e ka marrë në hetim, kam përshtypjen se tani situata do marrë drejtim”, theksoi ajo.