Jurgen Klopp është gjithnjë e më pranë emërimit të tij si trajneri i kombëtares gjermane me një kontratë deri në Botërorin 2030. Lajmi bëhet i ditur nga e përditshmja gjermane ‘Die Welt’ sipas së cilës, presidenti i Federatës Gjermane të Futbollit, Bernd Neuendorf dhe presidenti i Ligës, Hans-Joachim Watzke, në fundjavë do të udhëtojnë drejt New Yorkut për të zgjidhur edhe detajet e fundit të marrëveshjes me ish trajnerin e Liverpool.
Gjithnjë sipas kësaj të përditshmeje, Klopp do të nënshkruajë një kontratë 4 vjeçare që do t’i japë mundësinë që të drejtojë Die Mannschaft në Evropianin e 2028 dhe Botërorin 2030. Trajneri do të përfitojë një pagë pak më të lartë se ajo e paraardhësit të tij, Julian Nagelsmann, që paguhej deri në 7 milionë euro në vit. Por gjithsesi, për Klopp, aspekti financiuar nuk ishte vendimtar. Një prej çështjeve kryesore ka të bëjë me raportin me Red Bull, ku Klopp është në rolin e Drejtorit Global të Futbollit me një kontratë deri në 2029. Sipas ‘Die Welt’, nuk është parashikuar asnjë dëmshpërblim për zgjidhjen e parakohshme të kontratës; në fakt trajneri do të vazhdojë bashkëpunimin me grupin si ambasador i markës që konsiderohet diçka më e vlefshme se një shpërblim i majmë me miliona euro.
Përsa i përket stafit teknik, asistenti i parë i tij me shumë mundësi do të jetë Peter ‘Piet’ Krawietz, bashkëpunëtori historik i Klopp që nga kohët e Borussia Dortmund dhe Liverpool dhe aktualisht edhe ai është te Red Bull. Asistenti i tij i dytë duket se do të jetë holandezi Pepijn Lijnders, që prej vitesh ka qenë zëvendësi i Klopp te Liverpool dhe që së fundmi ka qenë bashkëpunëtor i Pep Guardiolës te Manchester City.










