Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, SPAK njoftoi të mërkurën më 16 tetor përfundimin e hetimeve ndaj kryetarit të Partisë Demokratike dhe ish-kryeministrit Sali Berisha për korrupsion pasiv dhe e ka paraqitur çështjen në gjykatë për shqyrtim. I pandehur për të njëjtën vepër penale është marrë edhe dhëndri i Berishës, Jamarbër Malltezi, i cili akuzohet për përfitimin e të ardhurave në vlerën e 5.4 milionë eurove nga një biznes ndërtimi në mënyrë të parregullt, falë vendimeve të qeverisë të marra nga vjehrri i tij.
Po ashtu, SPAK i ka kërkuar gjykatës gjykimin për korrupsion aktiv të ndërtuesit Fatmir Bektashi dhe për pastrim parash biznesmenin Xhimi Begeja e financieren Andia Pustina. Si të pandehur për pastrium parash janë marrë dhe shoqëritë Studio Pustina sh.p.k., Homeplan sh.p.k. dhe Kontakt sh.p.k..
Si Berisha ashtu edhe Malltezi i kanë kundërshtuar akuzat dhe e kanë cilësuar hetimin si të orkestruar nga kryeministri Edi Rama. Gjithashtu, Berisha dhe mbështetësit e tij e kanë cilësuar këtë masë si përpjekje për asgjësimin e opozitës.
Berisha, 80 vjeç, është zyrtari më i lartë i opozitës në tre dekada që përballet me një situatë të tillë ligjore. Hera e fundit që një ish-kryeministër është përballur me heqje imuniteti, arrestim dhe proces gjyqësor ka qenë në vitin 1993, kur mazhoranca e asaj kohe e Partisë Demokratike autorizoi arrestimin dhe përndjekjen e ish-kryeministrit socialist, Fatos Nano.
Prej fundit të dhjetorit, Berisha ndodhet në arrest shtëpie pasi nuk zbatoi një vendim të mëparshëm të gjykatës për t’u paraqitur në Policinë Gjyqësor, vendim të cilin ai e konsideron si antikushtetues.