Ish-sulmuesi i Kombëtares dhe trajneri i Shpresave, Alban Bushi humbi të dy prindërit në një aksident rrugor fatal në Veria të Greqisë dy ditë më parë.

Ali Bushi 73 vjeç, dhe Bukurije Bushi, 71 vjeç, nuk i kanë shpëtuar përplasjes, ndërsa trajneri i U-21 ka reaguar me disa fjalë prekës.

“Mënyra për ta pranuar një humbje është e lidhur me mënyrën se si ka ardhur. Një vdekje e ardhur nga shkaqe natyrale është e dhimbshme, por është ulëritëse kur vjen për shkak të një aksidenti.

Nuk di sa forcë duhet për të përballuar veten që rri para jush, si dëshmitar i pafuqisë ekstreme për të ndryshuar atë ç’ ka ndodhur.

Madje dhe kur fatmirësisht vjen një kujtim i mirë, s’ke fuqi as për britmë lumturie, por zëvendëson një palë lot me të tjerë.

Sot dhimbshëm mora orat që kane punuar në pulsat e zemrave tuaja, aq me formë dhe vlerë në orë të pafundme pa formë që kur ai aksident me një përplasje ju hoqi fillin e jetës.

Deri në përqafimet tona të ardhshme, ju dua pafundësisht, përjetësisht dhe përtej”, shkruan Bushi.