Unë besoj se politikat italiane për emigrantët janë në përputhje me atë që u ra dakord nga liderët e BE-së disa vite më parë, deklaroi sot ministri i Jashtëm holandez, Caspar Veldkamp.
”Ne nuk synojmë t’i bashkohemi marrëveshjes specifike Itali-Shqipëri, por e shikojmë atë me interes të madh sepse gjithashtu duam të eksplorojmë ide të reja dhe mundësi vendesh të reja për të kontrolluar flukset migratore”, theksoi ai në fund të një takimi me homologun e tij italian, Antonio Tajani në Farnesina.
“Italia i bën të gjitha këto brenda kornizës së ligjit evropian dhe brenda konventës për të drejtat e njeriut. Ne duhet të krijojmë risi dhe të mendojmë edhe jashtë kësaj”, shtoi ai.
Operacioni i transferimit të emigrantëve të paligjshëm në Shqipëri po shkakton diskutime në opozitë, por më duket se kjo marrëveshje mes Italisë dhe Shqipërisë u mor si shembull edhe nga presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, deklaroi sot ministri i Jashtëm italian, Antonio Tajani.
”Në letrën drejtuar komisionerëve ajo tha se duhet kuptuar si një shembull pozitiv për të trajtuar çështjen e emigrantëve”, theksoi ai.
”Kujtojmë se të dy qendrat do të administrohen nga autoritetet italiane. Pra, është një investim për të luftuar emigracionin e paligjshëm, trafikantët e qenieve njerëzore dhe për të dërguar në vendet e origjinës të gjitha ata që nuk do të kenë të drejtë të futen në Itali”, shtoi Tajani.
”Kjo është një zgjedhje konkrete dhe e guximshme, e cila mbledh konsensusin në Bashkimin Evropian”, shtoi Tajani, në emisionin No Stop News në Rtl 102.5 duke folur për qendrën e paraburgimit të emigrantëve në Shqipëri.
Anija italiane ”Libra”, me 16 migrantë në bord, zbarkoi sot në portin e Shëngjinit duke regjistruar grupin e parë të migrantëve.
Në mesin e tyre janë 10 migrantë nga Bangladeshi dhe gjashtë nga Egjipti, të cilët janë shpëtuar në det, pas nisjes nga Libia.
Sipas marrëveshjes së arritur mes dy vendeve, procedurat për migrantët do të kryhen në dy qendra.